MEI: Keqardhje për opozitën, avokaten e kujt nuk paguan energjinë
“Keqardhje për opozitën e cila është kthyer në avokaten dhe zëdhënësen e çdo njeriu që shkel ligjin, që nuk paguan energjinë, që vjedh pasurinë publike”.
Ky ka qenë reagimi i sotëm i ministrisë së Energjetikës, duke shtuar se në vend që ta mbështesë Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në përpjekjen për tu rimëkëmbur, Partia Demokratike zgjedh ta sulmojë sikur kërkon dhe dëshiron falimentimin e tij.
“Në vend që t’u bëjë thirrje qytetarëve të paguajnë detyrimet e energjisë elektrike, Partia Demokratike bën të kundërtën, inkurajon dhe nxit mospagesën e energjisë.
Në vend që të marrë anën e qytetarëve të ndershëm, kundër atyre që abuzojnë, Partia Demokratike rreshtohet fuqimisht në mbrojtje të atyre që e trajtojnë energjinë si mall pa zot.
Është e drejta e Partisë Demokratike të zgjedhë se çfarë qëndrimi publik do të mbajë, por të kthehesh në mbrojtës të verbër të kujtdo që shkel ligjin, është e turpshme dhe amorale.
Nëse u kërkojmë qytetarëve të paguajnë faturën e energjisë, ne jemi të parët që duhet të japim shembullin. Përpjekjet e Partisë Demokratike për të penguar rimëkëmbjen energjitike do të dështojnë.
Qytetarët e ndershëm janë shumicë. Ata duan të trajtohen të barabartë. Gjithkush do të paguajë për energjinë që konsumon, askush që abuzon nuk do të tolerohet”, citon ministria e Energjetikës.