Mendim ndryshe në PD, apo axhenda personale?
Nga Denion Meidani
Mos vallë demokracia shqiptare po ecën prapa me shpejtësi?! A mos po gremiset thellë Shqipëria brenda pusit te autoritarizmit?! Madje, edhe mjaft portale po zhyten papritur nën sqetullat e ndotura rilindëse! Shumë shpejt hidhen në eterin virtual apo vijnë eko të çuditshme portalesh, sapo ngrihet dhe del në sipërfaqe e pusit ndonjë flluskë e vogël kundërshtie, opinioni kundër apo mendimi ndryshe.
Personalisht mendoj që është më se normale të ketë mendime ndryshe në Partinë Demokratike, sidomos në një situatë të tillë të ngarkuar e mjaft shqetësuese për të ardhmen e demokracisë dhe pluralizmit shqiptar. Por, në fund të ditës, ajo nuk mund të jetë as si Partia e Punës, as që të bëhet si Rilindja ku gjykohet, ndëshkohet, anatemohet, blihet, regjistrohet e përjashtohet jo vetëm mendimi ndryshe i përfaqësimit, por dhe opinionet, statuset, reagimet e shakatë, deri të bashkëshorteve dhe fëmijëve të tyre. Kjo po bëhet më e dhimbshme në situatën aktuale, në të cilën gara demokratike elektorale e pluraliste brënda saj praktikisht ka vdekur e për më tepër po tentohet te replikohet në një shkallë kombëtare. Dhe, akoma më keq, po kultivohet me hapa galopante autoritarizmi i njëshit absolut, si i trashëguar nga koha e Partisë Punës, veçse në epokën e internetit dhe medias sociale, edhe i ushqyer nga “ushtarë” të paguar! Vetë forumet partiake, sot, janë thjesht për duartrokitur e brohoritur vetë këtë Skënderbeun e rilindur.
Mbetet për t’u parë, vlerësuar dhe përshëndetur ai mendim ndryshe që është sidomos realist e konstruktiv, por jo i bazuar në agjenda e për përfitime personale. Në të njëjtën kohe, ai duhet të mishërojë një përpjekje gjenuine për demokratizimin e mëtejshëm të Partisë Demokratike, dhe të vetë shoqërisë shqiptare.