Mentor Kikia: Protesta goditi qeverinë dhe opozitën, PD duhet të rigjejë veten
Analisti Mentor Kikia, thotë se protesta ka ndikuar në perceptimin publik për kryeministrin Edi Rama, duke cenuar imazhin e tij dhe besimin te qeverisja. Ai theksoi se pakënaqësia e qytetarëve është bërë më e dukshme dhe se përfaqësuesit e qeverisë përballen me më shumë kritika kur përpiqen të promovojnë punën e tyre.
Kikia vlerësoi se protesta ka ndikuar edhe te Partia Demokratike, e cila për të deri në atë moment ishte forca kryesore që organizonte qytetarët në rrugë. Sipas analistit, zhvillimet e fundit kanë krijuar një realitet të ri, ku opozitarizmi nuk përfaqësohet më vetëm nga opozita politike.
“Protesta zhvlerësoi në minimum besimin e qeverisë. Zhvlerësoi aksionet e Ramës. Nga superheroi i rrjeteve sociale u shndërrua në një njeri vunerabël tërësisht në sytë e publikut. Sot duke nisur nga Rama e deri te bashkëpunëtori më i largët përballet me sytë agresiv të qytetarëve kur përpiqen të promovojnë një punë të qeverisë.
Protesta goditi fort edhe Partinë Demokratike. PD deri në ato momente ishte e vetme që nxirrte njerëz në rrugë, por protesta goditi PD si lideri i opozitarizmit politik. Sot ka tre aktorë , mazhoranca, opozita politike dhe protesta si përfaqësuese e opozitarizmit qytetar. Protesta e ka dëmtuar mjaftueshëm qeverinë për të dhënë dorëheqjen, por kryeministri nuk largohet. Por Edhe opozita ka humbur goxha në mjedisin e saj”, tha Kikia.

