Merkel dhe reforma në drejtësi
Nga Mero Baze
Nëse ka një mesazh që mund të përdoret për politikë të brendshme nga vizita e kancelares Merkel është reforma në drejtësi. E nisur nga qeveria shqiptare disa muaj më parë, nën mbështetjen e fortë të faktorit ndërkombëtar, në këtë reformë është përfshirë ndryshe edhe opozita. Por ndërkohë që kjo reformë ka nisur, ose së paku ka një vizatim të kontureve të saj politikisht, në Shqipëri është kthyer në modë që shumica e problemeve të shpjegohen me atë.
Ndodhin dështime në betejat e qeverisë me koncesionet e Berishës dhe natyrisht debati kthehet tek drejtësia. Ndodhin beteja të dështuara kundër korrupsionit dhe natyrisht debati kthehet tek drejtësia. Vret dy turistë çek një fëmijë i torturuar gjithë jetën nga familja dhe shoqëria si Sokol Mjacaj dhe sërish debati kthehet tek drejtësia. Bëhet skenar filmi në Hollivud, trafiku i armëve drejtuar nga i biri i ish-kryeministrit dhe sërish debati kthehet tek drejtësia. Plasin debate publike mes komuniteteve fetare për çështje pronash, që kanë pas tyre ndërtues me oferta përqindjesh të ndryshme dhe sërish debati kthehet tek drejtësia.
E njëjta gjë ndodhi dhe sot. Kancelarja Merkel nuk na e prishi modën e fundit, atë të betejës kundër drejtësisë. E përcaktoi atë si prioritet të Shqipërisë për hapjen e negociatave.
Megjithë këtë kapital politik, që po harxhohet për të filluar një betejë kundër një sistemi të korruptuar, ka rrezik që përveç suksesit të dyshimtë të saj, të krijohet një precedent i keq për të ardhmen e drjejtësisë.
Për të bërë reformën në drejtësi duhen 84 vota dhe një vullnet i mirë politik për të mos e përdorur politikisht sistemin e drejtësisë. 84 votat ekzistojnë, pavarësisht cilësisë së tyre. Nëse ekziston dhe vullneti politik, nuk ia vlen që gjtihë kjo betejë të bëhet në emër të kaq shumë faktorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, pasi rrezikon që produkti të marrë dhe stampën e Merkelit dhe në fund të rezultojë i përafërt me produktet e Shkollës së Plepave të Berishës.
Sistemi ynë gjyqësor është i korruptuar në palcë, pasi gjyqtarët janë qënie të orientuara drejt shërbimeve politike vullnetarisht, me shpresë se pas kësaj kanë leje të bëjnë gjëma financiarisht në procese civile apo penale, ku nuk përfshihet politika. Dhe këtu nuk bëjnë dallim as majtas, as djathtas.
Investimi kaq i madh ndërkombëtar në këtë betejë, mund të bëhet i rrezikshëm në të ardhmen, nëse nuk bëhet një reformë e drejtë, e cila do të përmirësojë sistemin dhe do të kufizojë mundësitë që sistemi të përdoret politikisht dhe pastaj të prodhojë korrupsion.
Në këtë pikë angazhimi, i kancelares Merkel nuk duhet keqpërdorur si një leje politike, por si një mundësi që reforma të mos bllokohet me arsye politike. Më tej ajo do kujdes të jetë serioze dhe të jetë vërtetë diçka që të na bindë se para drejtësisë të gjithë janë njëlloj.
Unë nuk e di sesi do të jetë gjyqësori pas vjeshtës dhe si do ta transformojë kjo reformë drejtësinë, por nëse pandëshkueshmëria në këtë fund nuk fillon të marrë fund, nëse i biri i ish-kryeministrit mbetet vetëm trafikant në filmat e Hollivudit, por jo në dosjet e drejtësisë shqiptare, nëse të vrarët politikisht më 21 Janar nuk kanë shansin të marrin drejtësi dhe nëse të korruptuarit e rinj të qeverisë Rama nuk përballen me drejtësinë, njëlloj siç duhet të përballet Basha për 220 milionët dhe Berisha për krimet e tij, kancelarja Merkel e ka çuar fjalën dëm. Madje duhet t’i kërkojmë ndjesë që e kemi konsumuar në një betejë false, qoftë dhe për arsyen e vetme se ajo u angazhua në betejën më të vogël me seriozitetin e madh të një gjermaneje.
TEMA