Mesazhet e Sami Frashërit 120 vjet më pas
Nga Safet Ramolli
Para më shumë se një shekull, Sami Frashri botoi në shqip në Bukuresht veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”. Falë argumentit bindës për njohjen e problemeve të popullit, njëherësh edhe të pathosit patriotik të spikatur, e botuar pa emrin e autorit, në mënyrë të rrufeshme u bë me dije se kush ishte autori. Në 70 faqe, shpalosur si një histori e shkurtër e kombit, shtjellohen probleme që janë “Thembra e Akilit“ për ‘të. Vepra mbetet model i një Traktati Politiko-Historik, njëherësh edhe prozë e vërtetë poetike, që mposht dialektalizmin dhe imponohet ta lëçitësh me një frymë. Ajo transmeton informacion të pasur, por edhe grish të thellohesh në argumentet dhe analizën e fakteve.
Që në krye, me dëshirën fatlume të patriotit, me merakun e filozofit, me mallin-prush të mërgimtarit, me përgjegjshmërinë e intelektualit, por edhe me keqardhjen e natyrshme për një komb, që rrezikohet të copëtohet, autori rreket të japë “… mendime për shpëtimn’ e mëmëdheut nga rreziket që e kanë rrethuarë…”, sikurse shprehet. Mëse njëherë, përmes ideve që trajton, synon t’i përcjellë apel atdhetarizmit, (një ndjenjë gjithëkombëtare dhe historike e kombit, përgjegjësisë morale të tij, për t’i dalë Zot Vatanit, në ato rrethana tejet të vështira, kur kombi kanosej realisht deri në shpërbërje pos “krasitjes“ territoriale dhe asimilimit nga fqinjët shovenë e të pabesë. Më së shumti si patriot se sa si historian e filozof, Samiu merr përgjegjësinë të sqarojë e publikojë çështje të tilla si: autoktonia e padiskutueshme e popullit shqiptar në vatrat e veta; aftësia për të mbijetuar në kushte shumë të vështira; atdhetarizmi e besa si cilësi të vyera, por edhe aspirata mbarëkombëtare për të ngritur një shtet demokratik të vërtetë mbi baza organizative, ekonomike, kulturore e morale të shëndetshme.
Tezën e autoktonisë dhe etnisë së padiskutueshme e pohon disa herë, siç bën gjithëçka që ta argumentojë sa më bindëshëm. Për “Dijetarin“, (sikurse është epitetuar meritueshëm Samiu), Ballkani ka qënë trevë e banuar që herët në Evropë, ku edhe janë formuar fiset: Ilire, Maqedone, Trake, Frygase, e të tjera. Në jugë Ilirët shtriheshin deri në lumin Vjosë, nëbashkëjetesë në fqinjësi të mirë me Epirrin, po një fis Ilir ky. Këto dy mbretëri kanë bashkëjetuar normalisht; kanë patur gjuhë të përbashkët, ngjajshmëri në formën e qeverimit administrativ me një organ kolegjial; kanë nxjerrë mbretër të ditur e të fortë si Pirua, Teuta, e të tjerë. Deri në shekullin e 6–7, kur dynden shqehët dhe bullgarët nga veriu e nga lindja, Ilirët jetonin në trojet e tyre gati në 80.000 kilometra katror, ose tre herë më shumë se sa sipërfaqja e Shqipërisë së sotme.
Origjinën pelazgo–ilire të shiqptarëve, “Dijetari” e argumenton edhe përmes etimologjisë dhe të dhënave fiziko–fiziologjike të banorëve. Nocionin “ARBËRI“ apo “ARBËR“ e shpjegon me faktin se, banorët e këtyre anëve ishin të aftë të ndërtonin shtëpi me gurë, dinin të punonin tokën, pra të bënin arë. Pra, shqiptarët ishin “Arëbënë” apo “Arë-bërë”, prandaj edhe muarrën emrin “Arbër“.
Nocionin tjetër “Shqiptar“, autori e shpjegon me prezencën e zogut “Shqiponjë”, një zog i bukur ky, i fuqishëm, pra “Zog i Yjit“, të cilit stërgjyshët tanë i faleshin, ashtusi shëmbëllenjën e saj e vunë në Flamur, si simbol të trimërisë, të mprehtësisë, të forcës, të jetëgjatësisë, dhe të tjera, simbol të cilin e kemi prezent edhe sot në Flamurin Kombëtar.
Por Samiu shtron dhe argumenton edhe tezën e aftësisë së kombit shqiptar për të mbijetuar edhe në kushte tejet të vështira. Analizon cilësinë moralo–luftarake, bashkëshoqëruese të popullit shqiptar ndër shekuj, (është fjala për atdhetarizmin e pashuar). Në sajë të asaj Ilirët nuk humbën, (në të kundërtën, ruajtën njësinë e bashkësisë; nuk u përzjenë me të ardhurit dhe as që muarën mënyrën e jetesës, ruajtën gjuhën; ruajtën marrëdhëniet midis tyre; bashkarisht u bënë ballë rreziqeve dhe vështirësive; u treguan të aftë për të mos humbur guximin, cilësi kjo morale, e cila e ka bashkëshoqëruar dhe i ka kombëtarizuar shqiptarët në të gjithë rrjedhën e historisë së tyre). Këtë sentencë e pohon disa herë, por në mënyrë konçize e shpreh: “Shqiptarët, sado që u mundnë e u vranë, nuk u pushtuan e s’u bënë robër…”. Personalisht gjykoj se, nuk duhet të jetë rastësi vlerësimi dhe qëndrimi i përbashkët edhe i At Gjergj Fishtës, i cili pohon edhe sa vijon: “… Ka patur pushtuesa të Shqipërisë, por pushtuesa të shqiptarëve nuk ka patur kurrë…”.
Qëndrueshmëria e mbijetesa janë rrjedhojë e trimërisë dhe e forcës që ata kanë patur dhe kanë ekspozuar në rrjedhën e historisë së tyre, dhe aspak e lëshimeve ose e sjelljeve “të buta” të kundërshtarëve. Më së shumti, si atdhetar dhe si historian i kompletuar, autori pohon se, kombi shqiptar është ndër më të fortët dhe më të shëndoshët. Edhe pse me popullsi relativisht të vogël, (gati dy milion), ka mundësinë të kompletojë një forcë të armatosur prej 500.000 vetësh, ashtusi, një formacion ushtarak prej 200 mijë shqiptarësh është i barazvlerëshëm nga vlerat luftarake me një formacion tjetër ushtarak prej 500 mijë vetësh. Si personifikim të trimërisë “Dijetari” merr Skënderbeun, i cili njëherësh është simbol i heroizmit, besnikërisë, qëndrueshmërisë, bukurisë, fisnikërisë, humanizmit, etj. Për Atë, Samiu formulon vlerësimin se, historia nuk “… i tregon nonjë shok a shëmbëllë në trimërit; në diturit’ të luftës, në forcë si dhe në dije…”; ”…se ai ishte i drejtë në mendime, i ëmbël dhe i madh në zemër e në shpirt”. Është fakt i njohur, që lidhja në fjalë dhe dhënia besë për shpëtimin e Shqipërisë pas Besëlidhjes së Lezhës (2 mars 1444 S.R ), rritën qëndrueshmërinë e shqiptarëve, që për gati 30-të vite u vunë përballë armiqve të shumtë në numër, të armatosur më mirë, por që gjithmonë triumfuan, ”…duke vrarë e handakosur armiqtë…”. Atdhetarizmi e besa spikatën me shkëlqim brilant në këtë periudhë, jo vetëm si tregues i autoktonisë dhe vazhdimësisë, por edhe i forcës e qëndresës. Burim force gjithëherët ka shërbyer çështja kombëtare, që ka ndezur prush atdhetarizmin. Në emër të atdhetarizmit shqiptari ka dhënë besën, ka lidhur fjalë dhe ka vënë gjithëçka në shërbim të çështjes kombëtare, duke përdorur krahas njëra-tjetrës pushkën dhe penën. Lidhjen e fjalës dhe dhënien e besës “Dijetari” e shpjegon si një akt të lartë moral me fuqi efektive vepruese. Besën që jep nuk e merr, atë asnjëherë nuk e thyen apo nuk e prish, por e ka të shtrenjtë dhe bashkëudhëtare të përjetëshme. Qëndrimi në besë e ka nderuar shqiptarin, i ka zbardhur faqen, i ka rritur dinjitetin. Por, në kushtet konkrete, autori konkludon se, duhet bërë një “Besë e Madhe”, e përjetshme, e përgjithshme, për hir të saj duhen lënë mënjanë, deri edhe hasmëritë apo gjakmarrjet, (si dy vija ndarëse mjaft të fuqishme në psikologjinë e shqiptarit). Por në kushtet kur është evident rreziku i copëtimit të trojeve dhe i asimilimit të kombit, Samiu si patriot e diplomat jep sentencën: “… kush ka për të marrë gjak, ta dhurojë…”, sepse gjaku i shqiptarit është shumë i vlefshëm, ai kurrësesi nuk duhet derdhur kot. E çmon magjinë e kësaj cilësie morale si burim force e bashkimi, ndaj lëshon thirrjen, gati apoteozë: “O burrani o shqipëtarë! Zihni me të dy duartë në besë, në lidhjet’ e në bashkimt, se kjo do t’u shpëtojë…”.
Aspirata për të ndërtuar një shtet demokratik mbi baza të shëndosha organizative, ekonomike, kulturore, psikologjike, etj, është e gjerë dhe e thellë. Një mesazh të tillë përcjell Traktati Politiko–Historik “Shqipëria ç’ ka qënë, ç’ është dhe ç’ do të bëhetë?”, përmes të cilit Samiu vlerëson unitetin kombëtar, i cili është me të shkuar të lashtë, por edhe që mbetet po kaqë i ri dhe imperativ. “Dijetari“ parapëlqen formën republikane të qeverisjes. Kjo sepse kishte ideale të qarta demokratike, që i pohon qartazi në disa raste në këtë vepër. Kur flet për paraardhësit tanë, midis cilësive dhe virtyteve të larta që formonin psikologjinë kombëtare në përgjithësi, veçon idealin mbarëkombëtar: për të qeverisur në bashkësi. Mentaliteti dhe mendësia për t’u qeverisur nga një Këshill apo Kuvend, të përbërë nga shumë të mënçur dhe jo nga një “…vetë që bën ç’do në qeveri e në besë..”, duhet parë si pikë referimi bazë për Samiun. Ai sugjeronte që, qeverija të bëhet nga një organ i zgjedhur në mënyrën më demokratike. Në ‘të duhet të marrin pjesë njerëz të mësuar, të ndershëm, me dëshirë për të punuar për popullin. Këto organe duhet të jenë të shkallëzuara, të kenë kompetenca rreptësisht të përcaktuara, të zgjidhen sipas një rregulli të qartë dhe të detyrueshëm periodik, (rrotacion e quan diplomacia e ditëve tona, S.R), e të tjera. Këshilli i Pleqësisë të kryente funksionet e Presidentit; Këshilli i Përgjithëshëm – ato të Parlamentit; një i tretë, të kryente funksionet e Ekzekutivit… Pra, duket qartë se Samiu ishte për një shtet me demokraci të gjerë, i cili pronën private ta trajtonte të shenjtë; një shtet i begatë ekonomikisht, me motiv të qartë për zhvillimin kulturor e arësimor masiv dhe cilësor të krahasuar me kombet më të përparuar. “Dijetari” pohon që Qeveria duhej të punonte “…pas nevojës e pas të drejtave të shqipëtarëve..”, sepse, qoftë problemi ekonomik, por sidomos arësyeja psikologjike, nuk do të ishte në një vijë me qeverisjen prej një mbreti apo princi, qoftë ai edhe jo shqiptar.
S. Frashëri konkludon se, ndarja e popullsisë në pikpamje territori: në gegë e toskë, apo në pikpamje të përkatësisë fetare: në të krishterë e myslimanë, nuk ka përbërë ndonjë fatkeqësi për popullin tonë. Në të kundërtën, ato nuk kanë sjellë të çara në bashkëpunimin dhe frymën e bashkekzistencës të popullit. Këto marrëdhënie të popullit midis krahinave dhe besimit fetar, besës, siç thotë Samiu, janë të zakonshme, të rregullta. Ato s'kanë krijuar shqetësime, përçarje, e për më tepër as vëllavrasje apo gjakmarrje. Në të kundërtën, “…të gjithë janë një komb…, nuk ka çarje në mes të shqiptarëve…Shqiptari është shqipëtar përpara se të jetë mysliman a i krishterë”, dhe mjaft të tjera si këto, sentenca që na bindin në konkluzionin e “Dijetarit“, si edhe shumë bashkëkohës të tij, se ideja e atdhedashurisë ka përshkuar në gjithë rrugëkalimin historik kombin shqiptar.
Mjaft interesante e domethënëse është ideja se, ku i kërkon, ku i gjen dhe ku i rekomandon miqtë e vërtetë të shqiptarëve. Mëse një herë thekson me forcë, se popujt e Evropës tek populli shqiptar gjejnë e vlerësojnë trimërinë, burrërinë, besën, autoktoninë… Në veçanti ata çmojnë ndihmesën, që u dha popujve të Evropës, Heroi ynë Kombëtar, Skënderbeu, i cili gozhdoi për një çerek shekulli armiqtë e kristianizmit, osmanët aziatikë.
Me vështrimin tek Evropa e mësuar me dije, në lëmin e qeverisjes në demokraci, Samiu me largpamje të kthjellët hedh idenë se, Kombi Shqiptar, që të zerë vend denjësisht në Komunitetin Evropian, që të përparojë e të ecë përkrah tyre, duhet të mësojë gjuhët e Evropës së përparuar përmes arësimimit të lartë. I pajisur si rrallëkush me inteligjencie natyrore të hollë, i kompletuar me kulturë të gjerë oksidentale bashkëkohore, i pajisur me shpirt të lirë demokratik, shpëtimin e Shqipërisë e shikon drejt Perëndimit: drejt Evropës. Kjo sepse, Shqipëria është pjesë integrale në pikpamje gjeografike; është fqinje me Italinë e Austrinë, ka kushte të përshtatëshme gjeografike e psikologjike të ngjajshme me Evropën…Prandaj, nënvizon S. Frashëri, Shqipëria “…mund shumë çpejt të hyjë në qytetëri e të përzjehetë me Evropën…”, por me një mendim të konsoliduar, se në fund të fundit, shpëtimi apo humbja e Shqipërisë është në dorë të vetë shqiptarëve, që, nëse dëshirojnë që ta shpëtojnë vendin e tyre, duhet të bashkohen gjithë sa janë, të bëjnë besa–besë, të qëndrojnë të patundur në fjalë, të kërkojnë me këmbëngulje të drejtën e tyre, sepse, “… s’ mund të ketë Shqipëri pa shqipëtarë, s’ mund të ketë shqipëtarë pa gjuhë shqip…”, konkludon Samiu, “Dijetari“ ynë si rrallëkush. Por, a nuk janë këto mesazhe, të cilat bëjnë apel në ditët tona për bashkim politik, për shqiptarizëm mbarëshqëiptar, për ndjenjë kombëtare, për investim të vlerave intelektuale dhe të aftësive fizike, etj. në interes të çështjes kombëtare, që Shqipëria të zerë meritueshëm vendin që i takon në Evropë dhe më tej ?!!