Mesila Doda: Spiunët, sovjetët dhe terroristët e kuq, të largohen!
Në profilin e saj Facebook ajo iu drejtua në këtë mënyrë, njerëzve që po e përkrahin në këtë nismë:
“Të dashur miq! Ju falënderoj nga zemra për mesazhet tuaja mbështetëse. Asnjë shqetësim! Ligji për hapjen e dosjeve dhe lustracionin sot është në Kuvendin e Shqipërisë dhe do të mbrohet me çdo kusht nga deputetët dhe studentët e dhjetorit. Asnjë tërheqje! Spiunët, sovjetët dhe terroristët e kuq duhet të largohen, se kanë çerek shekulli që i marrin frymën këtij vendi”, shkruan Doda.
Më tej ajo përmend 8 dhjetorin, ditën kur studentët e ‘90-ës u ngritën në një demonstratë historike, që solli më pas rrëzimin e regjimit.
"Pas disa ditësh do kemi mundësi të festojmë së bashku 8 dhjetorin. Le ta kthejmë në një ditë reflektimi mbi të kaluarën dhe të gjejmë së bashku rrugën e së vërtetës, duke projektuar një të ardhme larg dhunës, paligjshmërisë, korrupsionit dhe klientelizmit. E ardhmja duhet të ndërtohet ndryshe”, shprehet Mesila Doda.
Për deputeten e djathtë janë shtuar zërat se do të thyejë bojkotin e Opozitës dhe do të rikthehen në parlament, ndoshta kur të diskutohet hapja e dosjeve, por është paralajmëruar se nëse ndodh një gjë e tillë, mund të përjashtohet nga kjo forcë politike.