
Messi padi ndaj AFA-s, pasi i ka kërkuar avokatëve të tij të përgatisin një padi kundër Federatës Argjentinase të Futbollit dhe presidentit të saj, Claudio Tapia. Lajmin e kanë raportuar mediat argjentinase. Sipas tyre, ylli i kombëtares është i pakënaqur me mënyrën se si imazhi i tij po përdoret për qëllime komerciale pa pëlqimin e tij paraprak.
Kërkesa përfshin ndalimin e çdo shfrytëzimi komercial të emrit dhe imazhit të tij, pasi nuk ka dhënë autorizim për këtë. Sipas raportimeve, pakënaqësia e 39-vjeçarit nuk kufizohet vetëm në këtë çështje, pasi ka edhe raste të tjera që kanë tensionuar marrëdhëniet mes dy palëve. Një nga shkaqet kryesore të mosmarrëveshjes dyshohet se është përdorimi i imazhit të Messit në një fushatë reklamuese të një marke birre argjentinase.
Ky veprim ka shkaktuar reagimin e futbollistit, i cili thuhet se ka një marrëveshje ekskluziviteti me kompaninë amerikane Michelob Ultra, që operon në të njëjtën hapësirë tregtare. Një pikë tjetër fërkimi lidhet me një shkelje të mundshme të detyrimeve kontraktuale për organizimin e dy ndeshjeve miqësore të kombëtares së Argjentinës.
Këto raste kanë rënduar ndjeshëm marrëdhëniet e kampionit të botës të vitit 2022 me federatën. Sipas mediave vendase, si Messi ashtu edhe familja e tij e mbajnë presidentin e AFA-s, Claudio Tapia, përgjegjës për mosmarrëveshjet dhe problemet komerciale me të cilat është përballur futbollisti.
Pavarësisht se palët nuk kanë komentuar zyrtarisht, kampioni i botës duket i vendosur të mbrojë të drejtat e tij komerciale dhe personale, duke marrë në konsideratë veprime ligjore. Pritet të shihet nëse përfaqësuesit e Messit do të dorëzojnë formalisht padinë dhe si do të përgjigjet federata argjentinase ndaj akuzave.
