Mësuesit, 5 kushtet për t’u punësuar. Diplomat që duhet të kenë

Një projektligj i ri i miratuar nga qeveria përcakton diplomat që duhet të kenë mësuesit për tu punësuar. Ky projektligj parashikon se asnjë mësues nuk mund të punësohet nëse nuk ka diplomën e ciklit të parë “Bachelor”, ndërkohë që u jepet mundësia të bëhen mësues edhe atyre që kanë diploma të ngjashme me profilet e mësuesisë.

Diploma që duhet

-Mësuesi për arsimin parashkollor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor”, që formon mësues të arsimit parashkollor.
-Mësuesi për arsimin fillor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor” dhe diplomë të ciklit të dytë “Master profesional”, që formon mësues të arsimit fillor.
-Mësuesi për arsimin e mesëm të ulët dhe arsimin e mesëm të lartë duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor”, në fushën e arsimit të mesëm të ulët dhe arsimit të mesëm të lartë dhe diplomë të ciklit të dytë “Master”, me 120 kredite në fushën që lidhet me programin e studimit të ciklit të parë.
-Mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar për lëndë të profilit, specialitetit dhe mësuesi, që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara, duhet të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë, përkatësisht, në fushën e edukimit dhe të pedagogjisë së specializuar.
-Profesioni i mësuesit mund të ushtrohet edhe nga individë që zotërojnë diplomë universitare të cikilit të parë dhe të dytë, ose diplomë universitare me kohëzgjatje, së paku, 4 vite akademike, të ngjashme ose të përafërta me fushën e mësimdhënies në arsimin parauniversitar.

Kushti

Mësuesi i arsimit fillor, arsimit të mesëm të ulët dhe arsimit të mesëm të lartë, mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar, mësuesi i shkollave profesionale, mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara dhe mësuesit me diploma të ngjashme ose të përafërta me diplomat në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, e ushtron profesionin pasi të ketë kryer me sukses praktikën profesionale dhe të ketë kaluar me sukses provimin e shtetit, siç parashikohet në ligjin nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”.

Provimet kombëtare

Në provimet kombëtare të arsimit bazë nxënësit vlerësohen në lëndët gjuhë shqipe, matematikë dhe gjuhë e huaj. Në vlerësimin e arritjeve nxënësit do të vlerësohen për njohuritë dhe për kompetencat e fituara në arsimin fillor. Nxënësit e pakicave kombëtare vlerësohen në lëndët gjuhë amtare, gjuhë shqipe, matematikë dhe, sipas dëshirës, edhe në një gjuhë të huaj. Organizimi dhe zhvillimi i vlerësimit të arritjeve të nxënësve në arsimin fillor dhe të provimeve kombëtare të arsimit bazë rregullohen me udhëzim të ministrit. Vlerësimi i jashtëm i nxënësve realizohet nëpërmjet vlerësimit të arritjeve të nxënësve në arsimin fillor, provimit të arsimit bazë dhe provimit të maturës shtetërore. Formë tjetër e vlerësimit të jashtëm është ai me një numër të caktuar nxënësish. Hartimi i testeve, administrimi dhe vlerësimi në provimet kombëtare dhe në vlerësimin e arritjeve të nxënësve në arsimin fillor kryhen nga mësues të certifikuar. Pagesa e tyre bëhet sipas akteve nënligjore në fuqi.

SHKARKO APP