Meta në gjyqin ndaj tij: Hetimi është i qëllimshëm, kërkoj dëshmitarë për të zbardhur të vërtetën

Është zhvilluar sot në GJKKO gjyqi ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit.

Mësohet se gjatë seancës së sotme, Meta ka kundërshtuar akuzat ndaj tij, duke pretenduar se prokuroria ka paraqitur një version të shtrembëruar të çështjes dhe duke kërkuar thirrjen e disa dëshmitarëve.

Meta deklaroi para gjykatës se kërkesa për dëshmitarë të caktuar është bërë për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të çështjes.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai kërkoi edhe një herë thirrjen e kryeministrit Edi Rama si dëshmitar.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Për fat të keq, në mënyrë recidiviste, prokuroria mashtron në lidhje me këtë çështje. Jo pa qëllim, ne kemi kërkuar persona të caktuar për të dëshmuar. Unë jam rrëmbyer më 21 tetor 2024 mbi bazën e një letërporosie të falsifikuar. Letërporosia erdhi në shtator për marrëveshjen me DSIS.

Kjo çështje është ngritur që në vitin 2018 nga Mother Jones, pas zgjedhjeve në SHBA, më 4 nëntor, kur iku regjimi i Charles McGonigal, pasi ky i fundit është i përfshirë në hetimet e mia dhe kjo është e konfirmuar nga gjykatat amerikane. Gjatë rrugës nga Shqipëria në Kosovë, McGonigal merrte edhe dekorata nga bashkia. Para se ky njeri të vinte në Shqipëri, McGonigal ka qenë në Vjenë dhe aty ka informacione se ka qenë me Tom Doshin. Po ashtu, thuhet se në atë takim ka qenë edhe shtetasi Durim Bami.

Pas këtij takimi, më pas ka dalë në skenë Romeo Karaj, i cili shkoi dhe bëri kallëzimin ndaj meje. Këta më kanë marrë në pyetje, ndërsa unë kam dhënë sqarime në lidhje me këtë çështje. Janë sqarimet e mia ato që kanë qëndruar dhe do t’i qëndrojnë kohës.

Historia e telefonatave që dëgjuam: unë kam qenë prezent kur është bërë kontrolli i banesës. Kam qenë prezent kur zonja Kryemadhi ka pretenduar se një nga celularët e gjetur atje ishte celulari i saj personal. Ajo ua ka bërë të qartë se ky është telefoni im dhe jo i mamit tim, dhe unë jam deputet, e të tjera. Mesa mbaj mend, kanë rënë dakord që kjo të shënohej në procesverbal. Herën e kaluar dëgjuam që gjykata është shprehur që të bëhet ekspertimi i telefonit të Fatime Kryemadhit, kur ai nuk është i saj. Këto janë veprime të qëllimshme kundër Ilir Metës.

Ne e kemi paraqitur listën e dëshmitarëve me shkrim në seancën e kaluar. E theksoj edhe njëherë kërkesën për thirrjen e Edi Ramës si dëshmitar. Nëse kam pasur dijeni se çfarë donte të bënte Ardian Shatku, do të kisha reaguar. Ai ka dashur të ofrojë një shërbim që do t’u shërbente të gjithëve. Unë do ta kisha pyetur direkt Haxhinaston që të bënte një akt normativ ose do të kisha iniciuar një ndryshim ligji në Kuvend, por nuk kisha asnjë lloj interesi.

Unë kam qenë kundër monopoleve dhe këtë gjë e kisha zgjidhur me ligj në Parlament, ndaj nuk kisha nevojë t’i kërkoja favore askujt. E gjithë kjo bëhet për të mbajtur gjallë shtypin e gënjeshtrave dhe ne këtu do të vazhdojmë një proces të rregullt ligjor, në mënyrë që të zbardhet e vërteta”, tha Meta.

Gjykata ndërpret seancën e sotme, e cila do të vijojë në datën 10 shtator, në orën 11:00.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?