
Ish-presidenti Ilir Meta ka ndarë një postim ku shpreh trishtimin për ndarjen nga jeta të ish-deputetit Bashkim Zeneli. Ai vlerëson njohjen me të dhe punën krah tij në periudha të rëndësishme politike dhe në sfidën për çështjen e Kosovës. Kreu i Partisë së Lirisë rendit kontributin e Zenelit si ambassador në Gjermani, konsolidimin e politikës së jashtme të Shqipërisë të orientuar drejt NATO e BE dhe vlerën që puna e tij ka lënë pas për diplomatët e rinj. Ish-presidenti i shpreh ngushëllimet familjes ndërsa përshkruan Zenelin si ‘notar’ të aftë të ujërave të qeta e të trazuara.
Deklarata e plotë:
Me trishtim të thellë mësova lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të personalitetit të shquar të diplomacisë, politikës, gazetarisë dhe publicistikës shqiptare, Bashkim Zeneli.
Ishte kënaqësi e veçantë ta njihja nga afër dhe të bashkëpunoja me të në periudha shumë të rëndësishme të transformimeve demokratike, të reformimit të Partisë Socialiste ku luajti një rol kryesor, por edhe të sfidave të mëdha për çështjen kombëtare, në veçanti të Kosovës.
Bashkim Zeneli përfaqësoi modelin e denjë të politikanit të urtë dhe largpamës, të reformave dhe orientimit të qartë euro-atlantik të Shqipërisë, por edhe diplomatin që dinte t’i jepte prioritet forcimit të gjithanshëm të bashkëpunimit me fqinjët.
Politikan i përkushtuar për çështjen kombëtare dhe sidomos mbështetës i palodhur i lëvizjes çlirimtare të Kosovës.
Angazhimi i tij i vyer si ambasador në Gjermani gjatë krizës së Kosovës do të mbetet i veçantë dhe i jashtëzakonshëm në shërbim të kësaj çështje madhore kombëtare.
Kjo është një humbje e madhe, jo vetëm për familjen e dashur dhe të mrekullueshme Zeneli, pranë së cilës ndodhem në këto momente shumë të rënda, por për të gjithë miqtë, ata që e njohën nga afër dhe bashkëpunuan me të.
Ngushëllimet më të ndjera për Zonjën Ëngjëllushe (Lushin), vajzat e tij Valbona dhe Rudina, si edhe për të gjithë të afërmit dhe bashkëpunëtorët e tij të shumë jo vetëm në tokën shqiptare po kudo Europë dhe botë.
Kontributi i tij për ndërtimin dhe konsolidimin e një politike të jashtme afatgjatë të Shqipërisë, të orientuar qartë drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Europian, si dhe për forcimin e pandërprerë të fqinjësisë së mirë, do të mbetet gjithmonë një vlerë dhe trashëgimi e vyer për të gjithë diplomatët e rinj shqiptarë.
Bashkim Zeneli diti të notojë gjithmonë në mënyrë të shkëlqyer, jo vetëm në ujra të qeta e të kthjellta por edhe të trazuara dhe me dallgë, falë aftësive të tij tepër të veçanta, mendje-mprehtësisë dhe largpamësisë!
Të prehet në paqen e merituar! I paharruar kujtimi i Tij!