Metani për llogaridhënien: Gjetja e mekanizmave mbron integritetin dhe efikasitetin e aktivitetit gjyqësor
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani i shoqëruar nga njësia e Inspektorëve dhe njësia e ndihmësinspektorëve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, mori pjesë në tryezën mbi rolin e magjistratëve në një shoqëri demokratike dhe funksionin e inspektimeve gjyqësore. Metani nënvizoi bashkëpunimin e suksesshëm të ILD-së me RESIJ, pjesë aktive e të cilit ka qenë edhe gjyqtari Moya, me të cilin trupa e inspektimit të ILD-së, do flasë mbi një temë të gjerë, siç është roli i gjyqtarëve edhe në raport me shoqërinë, përmes rasteve praktike nga përvoja e magjistratëve spanjollë.
Metani solli në vëmendje rëndësinë që ILD i kushton në punën e vet, gjetjes së balancës mes pavarësisë së magjistratëve dhe interesit legjitim të publikut për mënyrën sesi administrohet drejtësia dhe përpjekjet e vazhdueshme për ”gjetjen e mekanizmave për llogaridhënie, jo si mjet kontrolli, por për të mbrojtur integritetin dhe efikasitetin e aktivitetit gjyqësor, duke respektuar parimet e drejtësisë dhe ndarjes së pushteteve.”
Gjyqtari Juan Martinez Moya, falenderoi Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe veçoi bashkëpunimin në kuadër të RESIJ (Rrjeti Evropian i Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë), ku ILD dallohet si histori suksesi për Rrjetin, pasi nga statusi i vëzhguesit, tashmë është anëtar me të drejta të plota i RESIJ.
Gjyqtari Moya foli për standardet e pavarësisë së gjyqësorit, duke u ndalur tek koncepti i pavarësisë e sundimit të ligjit, arsyet e pavarësisë së magjistratëve, niveli i garantimit të pavarësisë, kushtet e ushtrimit të detyrës, të gjithë dimensione, që shkojnë paralel me llogaridhënien e transparencën, si elementë të domosdoshëm të pavarësisë.
Ndërsa gjyqtari Ricardo Conde Díez u ndal në përgjegjësinë disiplinore dhe pavarësinë gjyqësore, dallimin midis inspektimit dhe masave disiplinore, kufizimet në inspektim dhe kontrollin e performancës juridiksionale.
KOHA JONË SONDAZH

