MF: 2014, shlyhen 400 milionë dollarë borxhe të prapambetura
Ministria e Financave planifikon që deri në fund të muajit dhjetor të këtij viti të shlyejë 400 milionë dollarë detyrime të prapambetura ndaj kategorisë së biznesit. Sipas të dhënave, deri tani janë shlyer 300 milionë dollarë, nga detyrimet e prapambetura që qeveria kishte akumuluar vitet e fundit ndaj kësaj kategorie. Por, sipas burimeve nga ministria e Financave, janë dhe 100 milionë dollarë të tjerë që do të shlyhen deri në ditët e fundit të vitit. E në këtë mënyrë, pretendohet që t’i jepet fund historisë së borxheve të prapambteura ndaj biznesit. “Paratë për 100 milionë dollarë janë në Thesar dhe presin biznesin për t’i marrë”, deklaruan burimet nga Financat. Teksa
sipas ekspertëve, shlyerja e borxheve të prapambetura çliroi biznesin duke përshpejtuar rritjen e ekonomisë vendase. Kjo edhe lidhur me faktin që një pjesë e këtyre detyrimeve duke shkuar tek kompanitë private, u kanë dhënë mundësi atyre për të shlyer edhe detyrimet fiskale që kanë patur dhe këto kanë qenë shuma të konsiderueshme që i janë kthyer buxhetit në formën e të ardhurave, për t’u investuar, sipas programit të qeverisë.
Kujtojmë sakaq, se shlyerja e borxheve të prapambetura ishte një nga angazhimet më të forta politike të qeverisë së majtë kur ajo erdhi në pushtet, duke marrë përsipër rikuperimin e financave të shterura të qeverisë së shkuar, ku një nga faltorët që kishin ndikuar për krijimin e tyre, duket se ishin pikërisht detyrimet e mëdha të krijuara ndaj kategorisë së biznesit privat në vend. Sipas të dhënave zyrtare, shuma totale e këtyre borxheve që qeveria e djathte kishte akumuluar në vite ndaj biznesit ishte rreth 726 milionë dollarë. Teksa qeveria e majtë programoi që në vitin 2014 të shlyente 350 milionë dollarë detyrime të prapambetura ndaj biznesit. Ndërsa në buxhetin e vitit 2015 ajo llogarit të shlyejë shumën prej 200 milionë dollarësh dhe në vitin 2016 po 200 milionë dollarë. Ministria e Financave ka hartuar strategjinë përmes së cilës nuk krijohet hapësirë për detyrime të prapambetura ndaj biznesit në ardhmen.