Mili-metër!
Nga Arian Galdini/ Politika nuk është krim. Ndërsa krimi është politikë. Madje nëse do ti qëndrojmë asaj çka na ka thënë Hannah Arendt, të gjithë do biem në një mendje se dhuna është politikë me mjete të tjera. Dhe këtu lind edhe keqkuptimi i madh i qytetarëve që urrejnë Politikën që nuk është krim, ngase deri më sot kanë parë krimin të ushtrohet si politikë. Madje më keq akoma. Qytetarët kanë parë 50 vjet Diktaturë komuniste, pra dhunë të qartë, të hapur, të pamëshirshme, të ushtruar si politikë. Si edhe kanë 25 vjet që shohin çdo ditë e më pak politikë, e ngahera në rritje ndjejnë dhunën të na mbizotërojë çdo sferë të ushtrimit politik dhe institucional.
Dhuna dhe krimi janë ngado. Politika askund. Dhunë verbale në Kuvend, dhunë verbale në foltoret e Partive, dhune verbale në emisionet televizive, dhunë vizuale me udhëheqës të fytyrës së vrerosur, ngrefosje kacagjelash që e kanë nisur politikën me pantallona teritali e sot qepin kostume sipas masës tek Brion, ngërdheshje e ulërima Kryetarësh a Ofiqarësh që kanë hyrë në politikë të palarë e sot lajnë miliardat në offshore të Panamasë a tjejtërkund, Ministra të sotëm që dje ishin zyrtarucë a drejtorucë langaraqë të cilët lëpinin prapanicat e “qepnin, falcifikonin” letrat e ish Shefave, ndërsa sot përdorin të tjerë kaqola për letrat e tyre të plaçkitjes, deputetë që nuk flasin kurrë në Kuvend a ndokund, se dinë vetëm të bëjnë punë ‘trimash’ me administrim femrash në semaforë, drogë në qoshe rrugësh të Europës, apo palosje të tjerësh me thikë a kobure, Kryetarë Bashkishë që dje ishin ilegalë se bënin punët e pista të krimit, ndërsa sot duhet të meren me hallet e qytetarëve, Drejtorë që paguajnë para për tu bërë Drejtorë e që duhet të vazhdojnë të çojnë rregullisht kuotën sipas marrëveshjes tek Udhëheqësi, që të vazhdojnë të mbeten Drejtorë, trafikantë që bëhen ndërtues a pronarë dhe pijnë kafe, hanë dreka e darka e bëhen shokë me deputetë, Ministra e Kryetarë, derisa tu vijë rradha që të bëhen vetë deputetë, dhe kanabis pa hesap, kanabis ngado. Kemi arritur në atë pikë, kur ngado gjen e takon njerëz që kërkojnë investitorë për Parcelën e tyre të kanabisit, sepse e kanë parapaguar lejen. Ka edhe raste, kur leja është marë për një numër të caktuar rrënjësh kanabisi dhe nëse tejkalohet numri, policia inatoset dhe vjen e ti pret të gjitha e të rras brenda. Nuk mund tua fusësh atyre që ta japin lejen dhe që kujdesen për respektimin e plotë të kësaj lejeje, sepse ata e dinë çdo kordinatë e punojnë me plan dhe veprojnë sipas kordinatave. Flitet se ka raste që ngatërrojnë kordinatat. Kur ndodh kjo, shkarkohen menjëherë nga Policia. Nuk duhet kurrë të hyjnë në Parcelën e gabuar. Dhe beton e kullëzim ngado. Beton e kulla mbi Parkun e Liqenit, beton e kullë edhe mbi shpinën e Stadiumit Kombëtar. Kemi një qeveri që nëpërmjet 3 P (Partneriteti – Privat – Publik) heq qafe nga çdo gjë Shtetin, por nuk largon prej askund Partinë. Partia është mbi gjithçka. Partia është betoni i pushtetit dhe kulla e arbitraritetit. Sidomos kjo bëhet edhe më domethënëse, nëse Partia është ndërkohë e privatizuar. Sepse kush ka Partinë, ka Shtetin, e kush ka Shtetin edhe mund ta privatizojë atë me 3 P. Këto 3 P të famshme nga Partneritet – Privat – Publik janë bërë as më shumë e as më pak, veçse Pakicat Plaçkitëse Politike.
Për ti vënë vulën gjithçkaje, asgjësohen zgjedhjet. Partia privatizohet me Referendum. Ndërsa zgjedhjet asgjësohen me shumë para dhe shumë dhunë. Fuqia e parasë dhe e të fortëve, rrëzon e mposht çdo qytetar, çdo komunitet, çdo mundësi, çdo garë, çdo ide, çdo alternative, risi apo nismë. Me Kod Zgjedhor legjitimon pabarazinë e votës, me ushtrinë e komisionerëve dhe numëruesve që janë bërë si hordhi barbarësh shkelmon çdo vullnet e shprehje qytetare duke tjetërsuar, manipuluar, vjedhur votat bashkë me kuti e materiale zgjedhore, me para e dhunë fut nën zgjedhë rradhët e qytetarëve që paraqiten në qendrat e votimit, e me media dhe spektaklet marramendëse dhe tejet të kushtueshme të fushatave zgjedhore krijon atmosferën e Gjithëfuqisë. Pak a shumë, kjo është panorama antigarë e antiqytetar që ka ndërtuar me ngul e zulm të madh në këto 25 vite, ajo që ne e quajmë Politika shqiptare. Por kujdes. Kjo nuk është Politika. Sepse sikurse edhe e shohim këto ditë, Politikën nga Krimi e ndan një Emiljano Shullaz. Është dallim mili-metrik, por thelbësor ama. Sepse Mili (kështu e thërrasin shkurt Emiljano Shullazin) si shok dhe partner me Deputetë, Ministra, Policë, Kryeministra, bën Politikë, është politikë me mjete të tjera. Ne derisot, këtë politikë kemi parë. Në këto 25 vite, çdo ditë, javë pas jave, muaj pas muaji, vit pas viti, zgjedhje pas zgjedhjesh, Qeveri pas Qeverie, Parti pas Partie, deputet pas deputeti, kemi parë e kemi lejuar këtë marshim mili-metrik e të pavëreshëm në nisje, të krimit që bën e bëhet politikë, i cili ka mbërritur tashmë në krye të vendit.
Ky është një fakt kaq ulëritës, kaq i dukshëm, kaq i rëndë, sa edhe Mili vetë nuk e përgënjeshtron dot më. Mund të ndodhë që Mili të pendohet, mund të ndodhë që edhe të mos pendohet. Pyetja që më lind është e thjeshtë: A e di Kryeministri ynë që është vetëm mili-metra larg Shullazit? Nuk e kam fjalën ligjërisht, sepse Ligji dhe Kryeministri ynë janë të papërputhshëm. Kështu kanë qenë ngahera. Edhe Mehmet Shehu u vetëvra sepse ligji nuk e ndëshkonte dot. Po flas për afërsinë e asaj që përfaqëson Shullazi si krimenel që punon për politikën dhe Kryeministrit si Politikan që përdor për politikë dhe punon kaq afër me krimin. Në qoftë se Kryeministri e ka ndërgjegjësimin për këtë dallim mili-metrik, atëherë, Kryeministri pa Milin, edhe mund të fillojë të bëjë politikë. Politikë ama. Sepse Politika nuk është krim. Ndërsa Kryeministri me Milin, do të vazhdojnë të mbeten ajo Politika me mjete të tjera. Shqiptarët meritojnë të njohin Politikën si jo krim. Ky është detyrim madhor i çdo intelektuali, çdo universitari, akademiku, studenti, zëri publik, i çdo aktivisti e politikani në këtë vend. Nëse në dhjetorin ’90, kërkuam Pluralizmin Politik, sot kemi domosdoshmëri të kërkojmë Politikë. Ta kërkojmë e fitojmë Politikën si jokrim.