“Milionerët e vegjël”, rritet numri i shqiptarëve që fitojnë mbi 2 mln lekë në vit

Numri i individëve që kanë të ardhura vjetore mbi 15 mijë euro në vit u rrit me 18.3 për qind vitin e kaluar. Të dhënat bëhen publike nga administrata tatimore.

Ligji shqiptar detyron çdo person që realizon të ardhura mbi 2 milionë lekë ose 15 mijë euro në vit, të dorëzojë në Tatime deklaratën e të ardhurave vjetore.

Në këtë dokument, individi deklaron të ardhurat që ka fituar për gjithë vitin parardhës nga paga, qeratë e pronave, apo dividenti, pa përfshirë fitimin nga biznesi i vogël.

Sipas Tatimeve, në vitin 2015 pati vetëm 6.340 qytetarë, të cilët fituan më shumë se 2 milionë lekë të ardhura për gjithë vitin. Por vitin e kaluar lista u shtua dhe me 1.200 persona të tjerë, duke arritur në 7.500 vetë.

Të dhënat tregojnë se numri i personave të cilët fitojnë mbi 15 mijë euro në vit po rritet në mënyrë të qëndrueshme. Por sërish ai mbetet i ulët në raport me numrin total të të punësuarve, përkatësisht vetëm 1.2 për qind e tyre, pa përfshirë të punësuarit në sektorin bujqësor.

Sistemi tatimor në Shqipëri i takson në mënyrë progresive të ardhurat e individëve me tre shkallë të ndryshme tatimore, 0-13 dhe 23 për qind. Kjo rrit rrezikun për evazion, pra që shumë individë të mos deklarojnë të ardhurat reale.

Por rritja e vetëdeklarimeve tregon se qytetarët janë ndërgjegjësuar, ose ekonomia ka prodhuar më shumë milionerë sipas standardit shqiptar./Top Channel

SHKARKO APP