Minifutboll, kuqezinjtë mbyllin përgatitjet në Elbasan, gati për aventurën moldave
Kuqezinjtë e sallës i japin fund përgatitjeve në Elbasan dhe nisen drejt Kishinjevit të Moldavisë. Prej datës 5 janar të këtij viti, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit të Sallës ka nisur grumbullimin në qytetin e Elbasanit për t’u përgatitur për Eliminatoret e Kampionatit Evropian. Ekipi ynë do të luajë me sistem grumbullimi më 13-18 janar në Kishinjev të Moldavisë. Kuqezinjtë do të ketë për kundërshtar Moldavinë vendëse, Francën dhe San Marinon. Në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” djemtë kuqezi, që stërviten nga Erind Resuli, kanë nisur përgatitjet intensive në mënyrë që të jenë sa më në formë për të përballuar takimet që do të kenë në këtë grup. Ekipi Kombëtar do të qëndrojë deri ditën e sotme në Elbasan dhe nesër, të martën, do të niset drejt Moldavisë për të nisur aventurën në grupin ku bëjnë pjesë. Gjithsej janë grumbulluar 14 futbollistë, të cilët luajnë në kampionatin shqiptar, por edhe jashtë vendit. Madje ata pritet të rrisin edhe pak cilësinë në skuadrën e Resulit. Skuadra gjatë këtyre ditëve, nga data 5, deri më 12 janar 2015, ka qenë e akomoduar në një nga hotelet më luksoze të qytetit dhe ka mbajtur një regjim pothuajse si në kazermë. Trajneri Resuli ka kryer nga dy seanca në ditë me skuadrën, dy ore paradite dhe dy orë pasdite.