Ministrat Salla dhe Lamallari në pikën e inspektimit kufitar Durrës: Forcohet kontrolli për sigurinë ushqimore të importeve

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, zhvilluan një inspektim në Pikën e Inspektimit Kufitar (PIK) në Portin e Durrësit, në kuadër të forcimit të kontrollit dhe garantimit të sigurisë ushqimore për produktet që hyjnë në Shqipëri. Në këtë inspektim ishte e pranishme edhe drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Blerina Gjylameti.

PIK Durrës mbetet porta kryesore hyrëse e mallrave në vend, duke përpunuar rreth 43-47% të importeve totale, përfshirë edhe mallrat në tranzit drejt Kosovës, çka e bën këtë pikë një nyje strategjike për kontrollin ushqimor. Gjatë inspektimit, Salla theksoi rëndësinë e këtij porti në sistemin e kontrollit të produkteve ushqimore. “Porti i Durrësit është një nga pikat ku kalon 43 – 47% e produkteve që importohen në Shqipëri, përfshirë edhe tranzitin drejt Kosovës, ndaj është thelbësore që këtu të garantohet kontrolli i plotë i produkteve”, u shpreh ai.

Ai bëri të ditur se është në proces modernizimi i një rrjeti prej pesë Pikash të Inspektimit Kufitar në Durrës, Vlorë, Kapshticë, Kakavijë dhe Qafë Thanë, me qëllim mbulimin e hyrjeve kryesore të mallrave në vend. “Po ndërtojmë pesë pika për të garantuar analizat e duhura dhe kontrollin e çdo produkti, në mënyrë që asnjë ngarkesë të mos hyjë në territor pa kaluar në filtrat e sigurisë ushqimore”, theksoi ministri Salla.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas tij, këto investime synojnë të rrisin standardet e kontrollit dhe të garantojnë cilësinë e produkteve si në import ashtu edhe në eksport, duke forcuar rolin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe koordinimin me institucionet e tjera. Ai nënvizoi gjithashtu se Porti i Durrësit do të mbetet një pikë kyçe kontrolli edhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si port hyrës për mallrat nga vendet e treta.

Swiss Digital Mobile Reklama

Investimet e realizuara në PIK Durrës, përfshirë mbështetjen nga projekti SAFIAL dhe Banka Botërore, kanë përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën dhe kapacitetet e kontrollit, duke mundësuar ambiente moderne për inspektorët, magazina të pajisura me kushte frigoriferike dhe pajisje për analizimin paraprak të produkteve gjatë kontrollit fizik. Paralelisht, investimet në laboratorët e AKU-së kanë rritur kapacitetet analitike dhe gamën e analizave, duke mundësuar akreditimin e tyre sipas standardeve ndërkombëtare.

Procedurat në PIK parashikojnë kontroll të plotë të çdo ngarkese përpara hyrjes në treg, përmes verifikimit të dokumentacionit, identitetit dhe kontrollit fizik, si dhe kontrolleve fitosanitare për produktet bimore. Marrja e mostrave kryhet mbi bazë risku, ndërsa importuesit janë të detyruar të njoftojnë paraprakisht ngarkesat të paktën 24 orë përpara mbërritjes. Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e sigurisë ushqimore.

“Siguria ushqimore është kritike për qytetarët dhe kërkon bashkërendimin e Policisë së Shtetit, AKU-së dhe doganave për të parandaluar hyrjen e produkteve të rrezikshme apo të falsifikuara”, u shpreh ai. Ministri Lamallari vuri në dukje se përveç garantimit të cilësisë së produkteve, bashkëpunimi mes institucioneve ndihmon edhe në luftën kundër kontrabandës dhe veprimtarive të paligjshme në tregtinë ushqimore, duke kontribuar njëkohësisht në mbrojtjen e shëndetit publik dhe forcimin e ekonomi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?