Ministri Ahmetaj paralajmëron: 2015 do të jetë viti i luftës kundër informalitetit
Nuk kishte moment me të mirë sesa për t`ua deklaruar aty përballë, në një aktivitet me biznesin dhe kushtuar punës së tij në një vit kalendarik.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, ka paralajmëruar një tjetër aksion të qeverisë, luftën ndaj informalitetit dhe garantimin e konkurencës së lirë.
“Viti që vjen do të jetë viti i luftës kundër informalitetit. Vizioni ynë është që Shqipëria të kthehet në një vend të rëndësishëm prodhimi, përpunimi dhe tregtimi në rajon. Sipërmarrjen e shohim si një pasuri kombëtare”.
Duke u ndalur tek prioritetet e qeverisë për zhvillimin ekonomik të vendit, ministri Ahmetaj tha se synohet rritja e prodhimit dhe eksporteve.
“Paketa fason synon rritje 20 % të eksporteve. Ekonomia shqiptare kërkon hope cilësore dhe sasiore në mënyrë që ne t’i japim qytetarit dhe sipërmarrësit shqiptar atë që pret për të ardhmen”, tha ministri Ahmetaj.
Deklaratat u bënë gjatë mbrëmjes gala për sipërmarrjen “Bleta e Artë 2014″ të organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, nën kujdesin e Kryeministrit Edi Rama.
50 sipërmarrjet më të suksesshme në vend u vlerësuan me çmime nga qeveria shqiptare, në një ceremoni të organizuar mbrëmjen e sotme në Teatrin e Operas dhe Baletit, në Tiranë.