Ministri Demo me përfaqësuesit e BE-së: Përkushtim për të avancuar drejt familjes evropiane
Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo ishte pjesë e takimit të zhvilluar me anëtarët e Grupit të Punës të Këshillit të BE-së për Zgjerimin (COELA). Në këtë takim të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama, ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor, ndërsa aktiviteti vjen në kuadër të një misioni faktmbledhës mbi ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ministri Demo e cilësoi këtë takim, si një tjetër dëshmi e përkushtimit të Shqipërisë për të avancuar me vendosmëri drejt familjes europiane. Përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së po zhvillojnë takime me institucionet shqiptare për të vlerësuar progresin e reformave dhe për të diskutuar hapat e ardhshëm në procesin e integrimit.
Grupi i Punës për Zgjerimin dhe Vendet Negociuese për Anëtarësim i Këshillit të BE-së (COELA), ndodhet këtë javë në Tiranë, i shoqëruar nga Presidenca daneze e Këshillit të BE-së. Delegacioni i BE bën të ditur se, vizita thekson seriozitetin dhe angazhimin e BE-së për të çuar përpara procesin e anëtarësimit të Shqipërisë bazuar në meritë, veçanërisht në reforma të prekshme dhe të qëndrueshme, si dhe në zbatimin e tyre. Shqipëria ka hapur 28 kapituj të negociatave në vetëm 11 muaj, teksa 4 kapitujt e fundit u hapën më 16 shtator në Konferencën e 6-të Ndërqeveritare me BE-në.
KOHA JONË SONDAZH

