Ministri Gonxhja: Asnjë barrikadë nuk e ndalon rrugën europiane të Shqipërisë. Kaosi as zgjidhje apo alternativë
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka reaguar aktet e dhunës gjatë protestave studentore këtë të mërkurë, duke theksuar se e drejta për të protestuar nuk justifikon shkatërrimin e institucioneve dhe pronës publike. Ai u bëri thirrje organizatave studentore dhe senatëve akademikë të distancohen nga dhuna dhe të mbështesin protestat paqësore. Gonxhja theksoi gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes së monumenteve, muzeve dhe objekteve të trashëgimisë kulturore, duke nënvizuar se asnjë kauzë nuk justifikon dëmtimin e pasurisë kombëtare.
Postimi i plotë
Asnjë barrikadë nuk mund ta ndalë rrugën europiane të Shqipërisë! E drejta për të protestuar është e pacenueshme, por nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, të vërë zjarr apo të shkatërrojë. Institucionet nuk janë të partive: ato u përkasin qytetarëve dhe sulmet ndaj tyre cenojnë rëndë rendin dhe interesin publik!
Vetgjyqësia, urrejtja, kaosi nuk janë as zgjidhje as alternativa! Axhenda e destabilizimit i shërben vetëm interesave antishqiptare, në momentin më të lartë historik të progresit tonë demokratik, kombëtar e integrues!
Organizatat studentore, këshillat studentore dhe senatet akademike duhet të distancohen urgjentisht nga këto akte dhe të angazhohen për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës. Heshtja përballë dhunës i lë hapësirë ujqve të së shkuarës dhe armiqve të Shqipërisë europiane.
Në vëmendje të veçantë mbrojtja e objekteve të kulturës, monumenteve dhe muzeve: Organizatorët dhe pjesëmarrësit duhet të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë këto pasuri. Ato mbartin historinë, kujtesën dhe identitetin tonë dhe u përkasin të gjithë shqiptarëve. Asnjë kauzë nuk mund të përligjë cenimin e pasurisë sonë kombëtare.

