Ministri Gonxhja: Reforma territoriale duhet të fuqizojë bashkitë, menaxhimi vendor ndikon drejtpërdrejt në turizëm
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka theksuar rëndësinë e rolit të pushtetit vendor në zhvillimin dhe menaxhimin e turizmit, duke nënvizuar nevojën për rritjen e kapaciteteve të bashkive dhe përmirësimin e administrimit lokal. Gjatë një interviste televizive, Gonxhja deklaroi se turizmi është një sektor që lidhet me shumë fusha dhe se performanca e tij ndikohet drejtpërdrejt nga mënyra se si funksionojnë bashkitë.
“Turizmi ndikohet shumë nga bashki të forta apo bashki të paafta, bashki të mira apo bashki që nuk janë ku duhet”, u shpreh ministri. Ai ngriti shqetësimin për vështirësitë që disa bashki kanë në ofrimin e shërbimeve bazë, veçanërisht në menaxhimin e mbetjeve urbane gjatë sezonit turistik. “Kemi bashki që nuk janë ku duhet. Kemi bashki që kanë ngritur flamurin e bardhë. Nuk mbledhin dot mbetjet urbane në mbrëmje dhe ne jemi në luftë të përditshme me kontratat, me kontraktorët, me kontratat shtesë, me gjithë koordinimin që bëjmë me bashkitë”, deklaroi Gonxhja.
Duke folur për reformën territoriale, ministri tha se sfida kryesore është forcimi i bashkive dhe ndarja e qartë e shërbimeve që duhet të menaxhohen në mënyrë të përbashkët nga ato që duhet të mbeten në kompetencë të pushtetit vendor. “Gjithçka çfarë mund të bëhet së bashku dhe është më e mirë po ta bëjmë së bashku duhet ta materializojmë. Gjithçka tjetër që mund të jetë më mirë në kuptimin autonom dhe në kuptimin e fragmentarizuar, sepse mund të jetë një shërbim me vlerë, sjell vlerë të shtuar në komunitet dhe e bën atë ndryshe nga një bashki tek një bashki tjetër, duhet ta ruajmë dhe ta mbajmë”, tha ai.
Gonxhja u ndal edhe te procesi i integrimit evropian, duke theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk lidhet vetëm me përafrimin e ligjeve, por edhe me krijimin e një kulture të re të respektimit të rregullave dhe standardeve të përbashkëta. “Hyrja në Bashkimin Europian nuk është vetëm suksesi i një qeverie apo i një epoke, por është hapja e një ere krejt të re në mundësitë që ne do kemi”, përfundoi ministri.
KOHA JONË SONDAZH

