Ministri Hoxha: Avancim i projekteve ndërkufitare me Malin e Zi, prioritet hekurudha Podgoricë-Hani i Hotit
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha nënvizoi sot rëndësinë e avancimit të projekteve ndërkufitare me Malin e Zi, si projekti i urës mbi lumin Buna si dhe hekurudhën Podgoricë-Hani i Hotit.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, pas takimit në Tiranë me zv/kryeministrin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Ervin Ibrahimović, kryediplomati shqiptar vlerësoi bashkëpunimin me vendin fqinj si vende partnere dhe aleatë në NATO.
“Mendojmë të riaktivizojmë një mekanizëm të rëndësishëm, siç është takimi ndërqeveritar. Natyrisht, në momentin e duhur, kur të kemi edhe elementet e nevojshme për të shkuar më tej, për të bërë më shumë dhe për t’i çuar marrëdhëniet tona në një nivel më të lartë. Ky është një mekanizëm i rëndësishëm për të avancuar projekte të rëndësishme ekonomike, infrastrukturore dhe të ndërlidhjes.
Shqipëria mbetet e palëkundur në qëndrimin që minoriteti malazez të gëzojë të gjitha të drejtat e garantuara nga ligji kombëtar dhe ndërkombëtar, ashtu siç shpresojmë që komuniteti shqiptar në Mal të Zi të vijojë të ketë përfaqësim të drejtë dhe proporcional në jetën institucionale dhe administrative publike. Jemi të përkushtuar të ndërtojmë ura jo vetëm mbi lumin Buna, por edhe ura mirëkuptimi, pajtimi dhe bashkëpunimi në rajon, me vizionin e një Ballkani Perëndimor më të ndërlidhur, më të begatë dhe pa barriera.
Askush nuk mund ta ndërtojë të ardhmen duke parë nga e kaluara, aq më pak rajoni ynë. E ardhmja jonë europiane, individuale dhe kolektive, ndërtohet duke parë përpara me vizion dhe largpamësi, siç po bëjnë të dy vendet tona.
Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen sot nga partnerët ndërkombëtarë si vende pararojë të procesit të zgjerimit, një proces i bazuar në meritë, ku matësi kryesor mbetet ecuria konkrete dhe cilësia e reformave të ndërmarra. Për Shqipërinë, përparimi në rrugën drejt Bashkimit Europian vlerësohet mbi bazën e rezultateve të prekshme, përkushtimit të qëndrueshëm dhe aftësisë për të përmbushur standardet dhe detyrimet që burojnë nga procesi në të cilin jemi angazhuar për të ardhmen europiane.
”, shtoi Hoxha.
KOHA JONË SONDAZH

