Ministri Hoxha kërkon forcimin e Kartës së Adriatikut: Anëtarësimi i Kosovës do të forconte kohezionin rajonal

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka kërkuar forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe rritjen e efektshmërisë së Kartës së Adriatikut, në kushtet e sfidave të reja të sigurisë. Hoxha mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Kartës së Adriatikut, të zhvilluar nën kryesimin e Kroacisë, ku vuri theksin te nevoja për një mekanizëm më të fortë dhe më gjithëpërfshirës të bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.

Një nga çështjet e ngritura nga ministri ishte edhe kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Kartën e Adriatikut, e cila, sipas tij, ka mbetur për një kohë të gjatë në pritje. “Kërkesa e Kosovës për anëtarësim ka mbetur në pritje për një kohë tepër të gjatë. Përparimi në këtë çështje do të forconte kohezionin rajonal dhe aftësinë tonë kolektive për të përballuar sfidat e përbashkëta të sigurisë”, u shpreh Hoxha.

Në fjalën e tij, ministri evidentoi disa prej sfidave që kërkojnë një bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve të rajonit, duke përmendur kërcënimet kibernetike, sigurinë energjetike, si dhe manipulimin dhe ndërhyrjen e huaj në informacion (FIMI). Sipas Hoxhës, përballja me këto rreziqe kërkon një Kartë Adriatiku më efektive, por edhe një qasje më të gjerë ndaj bashkëpunimit rajonal. Ministri u ndal gjithashtu te rëndësia e gjithëpërfshirjes në garantimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se stabiliteti i qëndrueshëm i rajonit lidhet me integrimin e plotë të të gjitha vendeve dhe shoqërive në mekanizmat e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë së përbashkët.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Stabiliteti afatgjatë mund të arrihet vetëm kur të gjitha vendet dhe shoqëritë e rajonit të jenë plotësisht të integruara në kuadrin e bashkëpunimit, sigurisë dhe përgjegjësisë së përbashkët, mbi të cilin mbështetet e ardhmja jonë”, theksoi ai. Më shumë se dy dekada pas krijimit, Karta e Adriatikut vijon të konsiderohet një mekanizëm i rëndësishëm për sigurinë rajonale dhe bashkëpunimin euroatlantik. Në përfundim të ndërhyrjes së tij, Hoxha nënvizoi nevojën për një Kartë të Adriatikut më të hapur dhe më të përshtatshme ndaj zhvillimeve të reja të sigurisë. “Një Kartë e Adriatikut më e hapur, më e fortë dhe më gjithëpërfshirëse, e aftë t’u përshtatet sfidave të reja, i shërben një Ballkani Perëndimor më të sigurt dhe të ardhmes së përbashkët euroatlantike”, deklaroi ministri.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?