Ministri Hoxha për Integrimin e Shqipërisë: Angazhimi ynë me reformat është i palëkundur, e ardhmja jonë është në BE
Shqipëria e sheh anëtarësimin në Bashkimin Europian si rikthim në hapësirën së cilës i përket. Kështu tha ministri i Europës dhe i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha gjatë Konferencës Ndër-parlamentare ”Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, zhvilluar në Tiranë. Hoxha vuri theksin te parimi i meritës, duke argumentuar se përparimi i vendeve kandidate duhet të shoqërohet me njohjen e rezultateve nga Bashkimi Europian.
”Ne nuk kërkojmë favore, as rrugë të shkurtra. Kërkojmë një proces të drejtë, të besueshëm dhe të bazuar në merita; një proces në të cilin rezultatet sjellin përparim dhe përparimi të mund të njihet”, deklaroi ai. Sipas ministrit, përgjegjësia për një proces të besueshëm të zgjerimit është e ndërsjellë. Vendet kandidate duhet të vijojnë me reformat dhe zbatimin e tyre, ndërsa BE-ja duhet të reagojë ndaj progresit të arritur.
”Parimi i meritës është thelbësor për besueshmërinë e procesit të zgjerimit dhe duhet të mbetet në thelb të tij. Besueshmëria duhet të funksionojë në të dyja drejtimet. Vendet kandidate duhet të realizojnë reformat, zbatimin e tyre dhe rezultate të prekshme. Bashkimi Evropian duhet ta njohë gjithashtu dhe t’i përgjigjet përparimit kur ai arrihet me sukses”, tha Hoxha.
Duke folur për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit, ministri tha se vendi ka kaluar një fazë të rëndësishme të negociatave dhe vëmendja është përqendruar te zbatimi i reformave dhe përmbyllja e kapitujve. ”Në më pak se dy vjet kemi hapur të gjithë kapitujt, kemi përmbushur standardet dhe kemi nisur fazën e fundit, atë të mbylljes së kapitujve”, u shpreh ai. Hoxha theksoi se anëtarësimi në BE nuk duhet parë vetëm si një objektiv kalendarik, por si një proces që synon përgatitjen e plotë të vendit për të kontribuar në projektin evropian.
”Anëtarësimi nuk ka të bëjë thjesht me arritjen e një date në kalendar. Ka të bëjë me arritjen e nivelit të përgatitjes që i mundëson një vendi të kontribuojë plotësisht në projektin evropian, që nga dita e parë”, deklaroi ministri. Në përfundim, ai nënvizoi se zbatimi i reformave mbetet fokusi kryesor i Shqipërisë, duke përsëritur orientimin strategjik të vendit drejt Bashkimit Evropian. ”Angazhimi ynë është i palëkundur. Reformat tona vazhdojnë. E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Dhe e ardhmja e një Bashkimi Evropian më të fortë, më të sigurt dhe më të plotë përfshin pa diskutim Shqipërinë”, përfundoi Hoxha.

