Ministri Hoxha reagon ndaj Vuçiçit: Shqipëria kundër çdo ndryshimi të rrjedhës së lumit Ibër
Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, reagoi sot ndaj deklaratës së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe përfshirjen e ekspertëve dhe institucioneve serbe në shqyrtimin e një mundësie të tillë.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Hoxha shkruan:
Shqipëria shpreh shqetësim të thellë mbi deklaratën e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit #Ibër dhe përfshirjen e ekspertëve dhe institucioneve serbe në shqyrtimin e një mundësie të tillë.
Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që përbën pjesë të një sistemi ujor ndërkufitar nuk është një çështje thjesht e brendshme apo një vendim që mund të merret në mënyrë të njëanshme, veçanërisht kur pasojat e tij prekin drejtpërdrejt territorin, mjedisin, sigurinë ujore, furnizimin me ujë dhe jetën e qytetarëve të një vendi tjetër.
E drejta ndërkombëtare e ujërave është e qartë në këtë drejtim. Parimet e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, detyrimi për të parandaluar, kontrolluar dhe reduktuar dëmet ndërkufitare, si dhe detyrimi për bashkëpunim, shkëmbim informacioni dhe konsultim për masat që mund të kenë pasoja ndërkufitare, janë pjesë e standardeve të konsoliduara të së drejtës ndërkombëtare. Serbia është palë e Konventës së #UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare që prej vitit 2010 dhe ka pranuar edhe mekanizmat e saj për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Shqipëria pret që #Serbia të respektojë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë. Çdo projekt ose masë që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë apo cilësinë e ujërave që prekin Kosovën duhet të trajtohet me transparencë, mbi bazën e të dhënave shkencore, me vlerësim të plotë të ndikimit ndërkufitar dhe përmes konsultimit me palën e prekur.
#Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër.
Shqipëria mbështet fuqimisht të drejtën e #Kosovës për siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e burimeve të saj ujore.
Ne besojmë fort dhe presim qe çështje të tilla të trajtohen përmes #dialogut, bashkëpunimit dhe standardeve evropiane, jo përmes kërcënimeve apo ndërhyrjeve e veprimeve të njëanshme.
KOHA JONË SONDAZH

