Ministri i Brendshëm: Siguri më e lartë në destinacionet turistike. Policia, monitorim me dronë në të gjithë territorin
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me drejtues të Policisë së Shtetit zhvilluan sot në Durrës një prezantim të masave të marra për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik veror 2026.
Lamallari bëri të ditur se Policia e Shtetit, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare do të jenë të angazhuara me kapacitete të shtuara, teknologji moderne dhe gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe turistëve gjatë gjithë sezonit veror.
“Kur një turist zgjedh Shqipërinë, ai nuk zgjedh vetëm një plazh, një mal apo një qytet historik. Ai zgjedh një shtet që e pret me dinjitet që në Pikën Kufitare dhe e mbron me profesionalizëm. Një vend i sigurt nuk ndërtohet me fjalë, por me shumë punë e përkushtim dhe me njerëz që zgjohen të parët dhe flenë të fundit. E kam fjalën për Policinë e Shtetit, e cila ka barrën kryesore në këto muaj me fluks të lartë udhëtarësh dhe grumbullimesh në zonat turistike.
Kjo strukturë moderne, e ngritur për herë të parë në vitin 2023, sot është kthyer në një nga garancitë më të forta të sigurisë në hapësirën detare të vendit, nga Velipoja deri në Ksamil, nga brigjet e Adriatikut deri në ujërat e Jonit.
35 motorë uji, personel i trajnuar, patrullime intensive në të gjithë vijën bregdetare dhe monitorim nga ajri me dronë do të jenë në funksion të sigurisë së pushuesve.
Policia Kufitare është shpesh fytyra e parë e shtetit shqiptar për miliona vizitorë që hyjnë në vendin tonë. Krahas garantimit të sigurisë kufitare, misioni i saj është të ofrojë një shërbim profesional, korrekt dhe dinjitoz për çdo qytetar shqiptar dhe të huaj”, u shpreh ministri.
KOHA JONË SONDAZH

