Ministri Karakaçi: Autostrada Kashar–Rrogozhinë nis ndërtimin brenda këtij viti
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se projekti i autostradës Kashar-Rrogozhinë nis fazën e ndërtimit brenda këtij viti.
Karakaçi bëri të ditur se pas diskutimeve për mënyrën e lidhjes së aksit Kashar-Rrogozhinë me bajpasin e Tiranës, tashmë janë përmbyllur detajet e projektit dhe se autostrada nis ndërtimin brenda këtij viti.
“ARRSH ka miratuar projektin e zbatimit që ka ardhur në ministri ditën e sotme dhe do të nisë menjëherë procesin e shpronësimeve, duke i hapur rrugë nisjes së punimeve brenda këtij viti.
Kashar-Rrogozhinë është pjesë e Korridorit Blu dhe vazhdimi i aksit Thumanë-Kashar. Me një gjatësi prej 33,5 kilometrash, kjo do të jetë autostradë e kategorisë A dhe do të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë veri–jug, duke ndihmuar në lehtësimin e trafikut në një prej akseve më të ngarkuara të vendit, Tiranë–Durrës”, deklaroi ministri.
“Ky është një projekt i rëndësishëm që, së bashku me kantierët që kemi hapur, si Bypass-i i Tiranës, Bypass-i i Elbasanit, Elbasan–Rrogozhinë, Elbasan–Qafë Thanë dhe autostrada Milot–Balldren, do të kontribuojë në modernizimin e infrastrukturës rrugore të vendit dhe do ta çojë një hap më tej lidhjen e Shqipërisë me rrjetin europian të transportit”, theksoi Karakaçi.
KOHA JONË SONDAZH

