Ministri Lamallari fton të rinjtë: Policia e Shtetit ka nevojë për brezin e ri
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari u bëri sot thirrje të rinjve të aplikojnë për programin e studimit “Siguria dhe Hetimi” në Akademinë e Sigurisë, duke e cilësuar shërbimin në Policinë e Shtetit si një mision në shërbim të qytetarëve dhe shtetit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lamallari theksoi se zgjedhja e profesionit të policit është mbi të gjitha zgjedhje e vlerave dhe e përgjegjësisë.
“Ka momente në jetë kur nuk zgjedh thjesht një profesion, por një mision. E tillë është edhe karriera në Policinë e Shtetit. Nëse beson se ndershmëria, guximi dhe përgjegjësia nuk janë vetëm fjalë, por vlera për të cilat ia vlen të jetosh e të shërbesh, atëherë vendi yt mund të jetë në Akademinë e Sigurisë.
Ju ftoj të aplikoni për programin “Siguria dhe Hetimi” dhe të nisni një rrugëtim sfidues si shërbëtorë publikë të ligjit në Shqipërinë sot dhe Shqipërinë e së nesërmes së afërt në BE🇦🇱🇪🇺
Policia e Shtetit ka nevojë për një brez të ri vajzash dhe djemsh që duan të bëjnë diferencën, të mbrojnë qytetarët dhe të mbajnë me krenari uniformën e shtetit. Shqipëria ka nevojë për më të mirët. Gjeni më shumë informacion në linkun bashkëlidhur”, ka shkruar Lamallari në rrjetet sociale.
KOHA JONË SONDAZH

