Ministri Lamallari publikon raportin: Shqipëria në nivelin më të ulët historik të vrasjeve me dashje
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka bërë publike të dhënat paraprake të raportit mbi kriminalitetin për 6-mujorin e parë të vitit 2026, duke theksuar se Shqipëria ka arritur nivelin më të ulët historik të vrasjeve me dashje, si rezultat sipas tij i reformave të ndërmarra, forcimit të Policisë së Shtetit dhe investimeve në siguri.
“𝐒𝐡𝐢𝐟𝐫𝐚𝐭 𝐟𝐥𝐚𝐬𝐢𝐧 𝐯𝐞𝐭𝐞̈
Teksa po analizoj raportin mbi të dhënat e kriminalitetit për 6-mujorin e parë të vitit 2026, grafiku krahasimor me të dhënat për vrasjet me dashje nga viti 2005 deri më sot, flet qartë për transformimin e thellë të parametrave të rendit e sigurisë në Shqipëri. Si nata me ditën!
Nga një mesatare prej 49 vrasjesh me dashje në dekadën 2005-2014, sot kemi zbritur në vetëm 18 raste, në nivelet më të ulta historike, ndërkohë që mesatarja për dekadën e fundit është mëse përgjysmuar në vlerën 23.4!
Kurrsesi që kjo nuk është rastësi, por rezultat i reformave të qeverisë shqiptare, përfshi mbështetjen dhe rezultatet e punës së Policisë së Shtetit, investimeve që ne kemi bërë dhe vendosmërisë për të mos u zmbrapsur në luftën me kriminalitetin.
Me zbatimin e projektit #𝐒𝐦𝐚𝐫𝐭𝐂𝐢𝐭𝐲, duke integruar inteligjencën artificiale, kamerat inteligjente dhe sensorët e avancuar për zbulimin e të shtënave me armë zjarri, do të hyjmë në një fazë krejtësisht të re të parandalimit dhe goditjes së krimit.
Përmes teknologjisë, inovacionit dhe forcimit të institucioneve të zbatimit të ligjit, po krijojmë standarde sigurie të denja për një vend anëtar të familjes europiane, sikundër Shqipëria do të jetë brenda vitit 2030”, shprehet Lamallari.

KOHA JONË SONDAZH

