Ministri Thomas Byrne: Shqipëria po bën progres, duam që të mbyllim edhe kapituj të tjerë
Ministri i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne, thotë se Shqipëria ka bërë hapa përpara drejt integrimit.”Shqipëria ka mbyllur Kapitullin e 20. Shqipëria vazhdon që të bëjë progres. Tirana po angazhohet që të anëtarësohet në Bashkimin Europian dhe mund ta inkurajojmë vendin ballkanik që të ecë në këtë drejtim. Inkurajoj kryeministrin Rama që të vijojë me reformat. Duam që të mbyllim edhe kapituj të tjerë me Shqipërinë brenda Presidencës sonë”,– tha Byrne pas Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian.
Fjala e plotë
Ministri i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne: E sotmja shënon një moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe në të vërtetë, edhe për BE-në. Ishte kënaqësi e vërtetë të kryesoja Konferencën e 10-të Ndërqeveritare për Shqipërinë, së bashku me Komisioneren tonë për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos dhe Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama. Shqipëria sot ka mbyllur një kapitull tjetër negociues, që është Kapitulli 20 për Sipërmarrjen dhe Politikën Industriale, dhe kjo vazhdon momentin pozitiv, vrullin dhe shembullin pozitiv në kandidaturën e Shqipërisë, në atë që ka qenë një vit pozitiv për anëtarësimin e Shqipërisë, në vijim të përmbushjes së piketave të ndërmjetme të sundimit të ligjit për kapitujt 23-24.
Në maj, Shqipëria mbylli 3 kapitujt e parë negociues, në korrik, gjatë muajve të parë të presidencës sonë, dhe sot po konfirmojmë që Shqipëria jo vetëm ka hyrë në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit, por vazhdon të bëjë progres. Kjo vazhdimësi, ky progres i qëndrueshëm, është dëshmi e angazhimit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin tonë Evropian dhe vetëm mund ta inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë kështu në këtë drejtim, dhe ndërkohë do të publikohet edhe raporti i vitit 2026, dhe kjo do të jetë një mundësi për të bërë një inventar të arritjeve që janë bërë vitin e kaluar dhe do të identifikojmë ato fusha ku duhet punuar më tej për ta çuar Shqipërinë më pranë anëtarësimit në BE.
Inkurajoj Kryeministrin Rama dhe Shqipërinë të vazhdojnë të ruajnë ritmin që kanë krijuar e të vazhdojnë të zbatojnë rekomandimet e Komisionit për të garantuar një progres të mëtejshëm në procesin e anëtarësimit. Duke qenë se, ashtu siç Irlanda e ka parë në vetë të parë, zbatimi i reformave, jo vetëm u jep mundësi vendeve kandidate të jenë në harmoni me standardet e BE-së, por transformon në mënyrë domethënëse institucionet, ekonomitë dhe shoqëritë e tyre. Si presidencë, duam që të mbyllim kapituj të tjerë me Shqipërinë përpara përfundimit të saj, sepse e ardhmja qëndron dhe është në BE. Faleminderit!


