Ministria e Financave, sqarim për Lojërat e Fatit

 

Ministria e Financave vlereson se operacioni i për lojërat e Fatit ka qene i sukseshëm. Sipas MF më datë 02.06.2015, në disa media të shkruara, janë artikuluar disa të dhëna të pa sakta lidhur me efektshmërinë e aksionit “Fundi i Marrëzisë”, veprimtarinë e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, në Ministrinë e Financave, si dhe projektligjin “Për Lojërat e Fatit”.

Më konkretisht, është deklaruar se:

“Sipas të dhënave të INSTAT të azhurnuara në Regjistrin e Ndërmarrjeve 2014 mësohet se 25 biznese të fushës e kanë mbyllur aktivitetin vitin që shkoi. Në fund të vitit 2014 kanë rezultuar aktive 624 ndërmarrje nga 649 të tilla në vitin 2013.”

MF sqaron se: Shifrat e përdorura, (edhe pse janë nxjerrë jashtë kontekstit të raportimit nga INSTAT), nuk janë të vërteta dhe dizinformojnë publikun lidhur me situatën e vërtetë të numrit të shoqërive aktive që kanë ushtruar aktivitet në vitin 2013 në krahasim me vitin 2014 e në vazhdim.

"Ju informojmë se përgjatë vitit 2013 kanë ushtruar aktivitet të licencuar në fushën e lojërave të fatit 55 shoqëri dhe aktualisht ushtrojnë aktivitet 25 prej tyre. Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, ndaj 30 shoqërive të licencuara për lojërat e fatit, të cilat ushtronin aktivitet në vitin 2013, ka marrë të gjitha masat shtrënguese deri në heqjen e licencës për ushtrimin e aktivitetit në kundërshtim me ligjin nr. 10033, datë 11.12.2008 “Për Lojërat e Fatit”, i ndryshuar, si dhe për shkak të detyrimeve të prapambetura", – bente te ditur MF.

“Kur rreth 6 mijë policë rendi dhe tatimorë u përfshinë në aksion vitin e kaluar për të ulur informalitetin në biznesin e lojërave të fatit, u raportua zyrtarisht se ishin mbyllur 1 000 biznese. Bizneset e mbyllura ishin 40 për qind më shumë se bizneset e regjistruara. Shifrat tregojnë se informaliteti në sektor vijon të jetë i lartë dhe se aksioni duket se nuk ja ka arritur qëllimit.”

Sqarim: Raportimi nuk paraqet të dhëna të vërteta dhe për rrjedhojë nxjerr konkluzione të gabuara mbi informalitetin e këtij sektori. Ju informojmë se aksioni “Fundi i Marrëzisë” dhe në vijim puna e përditëshme e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit jo vetëm goditi informalitetin në fushën e lojërave të fatit, por ndikoi në formalizimin e tregut. Pasi aksioni “Fundi i Marrëzisë” goditi vetëm pjesën informale të tregut dhe pjesa formale e tregut u trajtua nga NjMLF, duke sjellë rezultate pozitive në këtë sektor.  Këto fakte janë të thjeshta për t’u verifikuar, vetëm duke krahasuar të ardhurat në buxhetin e shtetit nga lojërat e fatit për vitin 2013 me vitin 2014, të cilat janë rritur me 42.96%. Por më shumë informacion, do të gjeni në tabelën më poshtë:

Tabela mbi të ardhurat e mbledhura nga Lojërat e Fatit në buxhetin e shtetit

(në mld lekë)

Viti 2013         Viti 2014         Diferenca =/-   Diferenca ne %

3,656,841 ALL           5,227,810 ALL           1,570,969 ALL           + 42.96%

Në këtë kuptim, rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit me 42.96% në vitin 2014, pra arkëtimi 16 milionë dollarëve më shumë në arkën e shtetit se në vitin 2013, tregon për efektet e vërteta pozitive të punës së institucioneve shtetërore mbikëqyrëse në këtë fushë në luftën kundër informalitetit.

“Muajin e kaluar, Kuvendi ka miratuar ligjin e ri për Lojërat e Fatit, i cili ende nuk ka hyrë në fuqi. Por, edhe pse rregullat dhe ligjet për rregullimin e sektorit kanë ndryshuar disa herë, sektori ka shfaqur informalitetin më të lartë se sektorët e tjerë të biznesit edhe sipas analizave të Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithëshme të Tatimeve.”

Sqarim: Raportimet vazhdojnë të paraqesin fakte të pavërteta, qofshin këto edhe fare lehtësisht të verifikueshme, se projektligji “Për Lojërat e Fatit” nuk është miratuar ende në Parlament, por është në proces shqyrtimi në komisionet parlamentare dhe, për rrjedhojë, nuk mund të hyjë në fuqi pa u miratuar paraprakisht nga Kuvendi.

Gjithashtu, pavërtetësia e të dhënave dhe konkluzioneve bie ndesh me faktin se rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit nga sektori i lojërave të fatit për vitin 2014 është më e lartë se çdo sektor tjetër i ekonomisë, duke bërë që për vitin 2014 të jetë taksa kombëtare me realizimin më të lartë në arkëtim.

Ministria e Financave, Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit janë të gatshme të japin çdo lloj informacioni që ndihmon me të vërteta dhe nuk dezinformon publikun e gjerë.

SHKARKO APP