Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë: “PD është vënë në shërbim të kunatit të Bashës”

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë reagoi dje pas akuzave të Partisë Demokratike për shpërdorim me fondet. Në një deklaratë publike, Ministria bën të ditur se ndryshe nga sa pretendon Partia Demokratike, për aktivitet e kësaj ministria nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore. “Edhe këtë fundjave vazhdon sistematikisht fushata e baltës së PD ndaj Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. PD është vënë e gjitha në shërbim të kompanisë së kunatit të Lulzim Bashes dhe nuk ka asnjë vërejtje për pensionet, shkollat profesionale, zyrat e punës, ndihmën ekonomike, pagesat e PAK e këstet e ish të Përndjekurve. Ky ishte viti i parë, kur jo vetëm nuk pati më vonesa 6 mujore të pagesave, por dhamë edhe një bonus në fund të vitit për të gjitha këto kategori”,- thuhet në reagimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Më tej, Ministria thekson se asnjë prej kompanive që përmend Partia Demokratike nuk ka pasur lidhje me këtë institucion. “PD nuk shqetësohet aspak për gjërat që prekin dhe duan qytetarët, por përkundrazi PD shqetësohet vetëm pse kompania e Lulzim Bashës dhe e kunatit te tij, Erjon Isufi, nuk gëzon monopolin 100% të të gjitha aktiviteteve publike, ashtu siç bënte deri një vit më parë. Në kaq javë PD-ja ka përfolur mbi 5 kompani, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me MMSR, sipas modelit "kap e bjer, se diçka do të ngjisë". A është ky faji i tyre pse nuk janë kompania e Lulzim Bashes dhe Erjon Isufajt? Sipas logjikës së tyre, nëse nuk je kompania e Kunatit, je e armikut, dhe jo operator i një tregu ku konkurrojnë të gjithë njësoj. Përveçse kjo është një shpifje, është diskredituese edhe për rolin e PD si agjenci e agjencisë së kunatit”,- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mirëqenies. Nga ana tjetër, Ministria vlerëson se për aktivitet për të cilat akuzon PD-ja nuk janë shpenzuar para nga buxheti i ministrisë, por kanë qenë aktivitete të sponsorizuara. “Sqarojmë se për 1 Qershorin 2014, MMSR nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë të taksapaguesit, por është sponsorizuar nga agjencitë e OKB në Shqipëri. Për Zyrat e Punës, MMSR nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë të taksapaguesit, por ato janë sponsorizuar nga banka, kompani celulare e shoqata biznesi për të mos renduar buxhetin e shtetit. Logot e tyre i keni në hyrje të çdo zyrë pune. Për investimet në shkollat profesionale, MMSR nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë nga taksapaguesit, por kemi tërhequr maksimalisht qeveritë gjermane, austriake e zvicerane”,- thuhet në reagimin e kësaj ministrie. Duke u ndalur në akuzat e PD, Ministria vë në dukje se i afërmi i kreut të PD-së ka pasur gjatë qeverisjes së kaluar akses të palimituar në fondet publike dhe kjo është arsyeja e sulmeve të opozitës. “E kuptojmë se pasi e lanë shkretë dhe transferuan gjithë buxhetin e shtetit tek kunati i Lulzim Bashës, në PD ndihen të diskredituar se vendi është normalizuar, se pagesat e PAK, NE, pensionet dhe këstet e ish të përndjekurve jepen në kohë, që të huajt e bizneset janë gati të financojnë projekte publike, kur shohin një qeveri serioze. Dhe në pamundësi për të dhënë një alternative të tyre, janë rreshtuar sot të mbrojnë monopolin e kunatit të Bashës, si bankomat i luksit të SHQUP-it”,- thuhet në reagimin e Ministri. Nga ana tjetër, Ministria i sugjeron Partisë Demokratike, që për ccdo shkelje që pretnedojnë të drejtohen në prokurori. “E ftojmë PD-në, kunatin e Lulit dhe zëdhënëset e kunatit, të shkojnë në Prokurori për çdo shkelje. Ftojmë Prokurinë të hetojë çdo shpifje e akuze. Kjo është e vetmja mënyre serioze për t'u përballur me industrinë e baltës”,- thuhet në reagimin e Partisë Demokratike. Dje, deputetja e PD-së Albana Vokshi deklaroi se Ministria e Mirëqenies ka dhënë tenderë në shkelje me ligjin për një kompani. 

SHKARKO APP