Ministrja Ekonomi: Të promovojmë turizmin
Ministrja Ekonomi, vizitë në Pyllin e Fazanëve Maliq dhe Fermën Morava Korçë
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi zhvilloi sot një vizitë në rajonin e Korçës në kuadrin e turit të vizitave të saj në terren për t’u takuar me sipërmarrës për t’u njohur me shqetësimet e bizneseve, por dhe për të promovuar zona dhe rajone të ndryshme turistike.
Para vizitës në Korçë, Ministrja u ndal në Maliq, pikërisht në Pyllin e Fazanëve, që ndodhet në fshatin Drithas i poshtëm, pjesë e bashkisë së Maliqit. Pylli ka një sipërfaqe 46 hektarë dhe në 1960 është shpallur monument natyror dhe tashmë është nën administrin e zonave të mbrojtura pranë Ministrisë së Mjedisit. Ministrja Ekonomi duke vizituar këtë pyll, së bashku dhe me zv kryeministrin Niko Peleshi tha se dhe turizmi natyror mund të shfrytëzohet për zhvilluar këto zona, dhe për t’i kthyer në atraksione turistike. Vizita në këtë park natyror përkonte me një ditë të shënuar që është dita e Tokës 22 prilli, një ditë ku gjithë bota thekson se sa të rëndësishëm janë pyjet, si oksigjeni i jetës në tokë, sa e rëndësishme është mbrojtja e pasurive natyrore dhe si duhet mbrojtur planeti nga kërcënimet e shumta të kohës së globalizimit. Ministrja Ekonomi theksoi se ka një ndërgjegjësim për mbrojtjen e parqeve natyrore nga vetë shqiptarët dhe një tregues për këtë ishte se në 2016 vizitat ne parqet natyrore të Shqipërisë shënuan një rritje me 3.3 herë më shumë se vitin e kaluar dhe vizitorët vendas tejkaluan ata të huaj.
Vizita ne Fermën Morava
Më tej Ministrja Ekonomi vijoi vizitën në fermën Morava, të cilën e konsideroi si një histori suksesi jo vetëm në zonën e Korçës por tashmë të njohur në mbarë vendin për prodhimin e mjaltit dhe produkteve të tij. Morava ka nisur aktivitetin ne 1993 ndërsa punishten e parë e kanë ndërtuar në 1998. Sot kjo kompani arrin të eksportojë 34 tonë mjaltë në 2016 krahasuar me 24 tonë në 2015. Vetë kompania prodhon 10 tonë mjaltë ndërsa pjesën tjetër e merr nga prodhuesit e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Ministrja përshëndeti faktin se kjo fermë ka laborator brenda kompanisë ku bëjnë analizat e mjaltit të grumbulluar. Aktualisht ka 16 të punësuar dhe ka dy degë marketing në Tiranë dhe Prishtinë për të promovuar e shitur produktin e tyre. Përfaqësuesit e fermës thanë se pikërisht panairet kishin ndihmuar shumë në shtimin e eksportit. Pikërisht sot Ferma Morava po prezantonte pjesën turistike të saj në Panairin që po zhvillohet në Prishtinë nga AKT. Ata ftojnë rregullisht turistë në fermë ku i bëjnë një guidë dhe u japin të provojnë produkte mjalti të kompanisë.
Aktualisht Ferma Morava është pjesë e guidave të ndryshme turistike dhe vizitohet gjatë gjithë vitit sidomos në verë nga grupe turistësh të huaj nga Europa dhe vende të tjera. Ata vizitojnë ambientet e fermës, parkun e bletëve, historikun, prodhimin, vjeljen e mjaltit, si dhe shijojnë llojet e shumta të mjaltit ndonjëherë të shoqeruar me raki prej mjalti. Ministrja Ekonomi vlerësoi prodhuesit në këtë fermë jo vetëm për produktet cilësore që ata prodhojnë por dhe për idetë kreative për ta futur këtë fermë në guidat turistike.
Ekonomi takim në Berat me bizneset në fushën e turizmit
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj Milva Ekonomi së bashku me Ministrin për Çeshtjet vendore, z. Eduard Shalsi zhvilluan sot një takim në qytetin e Beratit me përfaqësues të hoteleve dhe restoranteve në qytet. Tema kryesore e diskutimit ishte ligji i ri për uljen e Tvsh për strukturat akomoduese nga 20 % në 6% dhe impaktin që do të ketë kjo masë në përmirësimin e standardeve të këtyre strukturave. Ky ligj mori mbështetjen dhe vlerësimin nga përfaqësuesit e hoteleve në takim, pasi ulja e taksës është një ndihmë e madhe që biznesi i tyre të marrë frymë dhe të zgjerohet.
Tjetër temë që u diskutua ishte forcimi i rolit të Dhomës së Tregtisë dhe pjesëmarrja në to kryesisht e operatorëve turistike, të cilët mund të adresojnë së bashku në një zë problemet e tyre. Më pas ky bashkëpunim duhet të japë ndikimin e vet në forcimin e Unionit të Bizneseve, si një zë i forte pranë Qeverisë.
Ministrja informoi të pranishmit për Këshillin e Investimeve, i cili gjate dy viteve të fundit ka kontribuar shumë në përmirësimin e marrëdhënieve midis administrates dhe biznesit, pasi në këtë këshill që drejtohet nga Ministri i Ekonomisë, ngrihen mjaft probleme që vijnë nga biznesi dhe shumica e tyre janë adresuar nga Qeveria.
Ministrja Ekonomi gjithashtu theksoi se një nga objektivat kryesore të Ministrisë që ajo drejton është heqja e barrierave jo tarifore e cila synon të ndihmojë bizneset. Duke iu drejtuar operatorëve turistikë të pranishëm në takim, Ministrja i ftoi ata që të marrin pjesë në panaire kombëtare dhe ndërkombëtare për të promovuar vlerat e qytetit, por dhe të zonave turistike rreth tij. Ajo shtoi se në Berat duhet punuar më shumë në krijimin e atraksioneve të reja turistike, pasi qyteti ka shumë potenciale që duhen shfrytëzuar, në mënyrë që turistët që vijnë në Berat të mos vizitojnë thjesht zonën muzeale të qytetit të shpallur si të mbrojtur nga UNESCO por të kenë mundësi të njihen me gjithë traditat e zonës, me kulinarinë, dhe produkte të tjera turistike si sported e aventurës që të qëndrojnë më gjatë në këtë qytet. Në fund Ministrja ftoi operatorët turistike, apo bizneset e tjera që të marrin pjesë në programet për nxitjen e konkurueshmërisë, apo thirrjet për projekte turistike autoktone që mbështeten nga Ministria e Ekonomisë
Më tej në takim u diskutuan edhe probleme konkrete të Bashkisë Berat lidhur me përmirësimin e kushteve për një turizëm më cilësor.