Ministrja Koçiu: Shqipëria, vend i sigurt. 95 % zbulueshmëri e veprave penale
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka raportuar në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes mbi gjendjen e sigurisë publike në vend. Koçiu tha se Shqipëria është një vend i sigurt, që përmendet jo vetëm të gjitha mediat e njohura ndërkombëtare, por, sipas saj, këtë e tregojnë edhe shifrat.
“Shqipëria është e vend i sigurt, ky është përshkrimi që i ka bërë vendit tonë udhërrëfyesi “Lonely Planet”. Në faqet e mediave më të njohura ndërkombëtare, në çdo përditësim zyrtar përsëritet e njëjta fjali, Shqipëria është vend i sigurt. Mjafton t’u referohemi fakteve dhe shifrave. Vendi ynë mirëpriti 12 milionë turistë, si dhe qytetarë të huaj që hapin biznese apo blejnë prona këtu. Shqipëria ka dalë nga të gjitha listat e zeza”, tha Koçiu.
“Kemi rritur ndjeshëm sigurinë, duke arritur 95% zbulueshmëri për veprat penale. Është ulur numri i krimeve të rënda, në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 29 vrasje me dashje, nga 41 që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Janë reduktuar gjithashtu edhe aksidentet e rënda me 17% krahasuar me një vit më parë”, vijoi më tej ministrja Koçiu.
Ministrja e Brendshme foli edhe për monopatinat, për të cilat tha se janë kthyer në rrezik për qytetarët.
Vetëm gjatë këtij viti, Koçiu tha se monopatinat kanë qenë shkaktare të një mijë aksidenteve.
“Për monopatinat elektrike, janë regjistruar mbi 1 mijë aksidente gjatë nëntëmujorit. Monopatinat janë rrezik për të gjithë qytetarët. I kemi pezulluar për të pasur mundësinë që të ndërtojmë bazë ligjore ku të qartësohet mënyra se si këto mjete duhet të lëvizin dhe qarkullojnë, duke patur parasysh standardet e sigurisë qe duhet të respektohen”, tha Koçiu në komision.
KOHA JONË SONDAZH

