Ministrja Sala: 94% e studentëve të vitit të parë të Mjekësisë, kontratë për të punuar në sistemin tonë shëndetësor

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala thotë se 94% e studentëve që diplomohen në mjekësi kanë nënshkruar kontratat për të punuar në vend. Në ”Ceremoninë e Bluzave të Bardha”, organizuar me pedagogë dhe studentë të vitit të parë, ministrja u ndal në politikat e ndjekura për realizimin e një prej prioriteteve kryesore të sistemit të shëndetësisë në vend, atë të ndalimit të largimit të mjekëve.

”Në fakt 30 e ca vite më parë ishin 150 kuota në mjekësi, pastaj gradualisht është rritur në 350 kuota dhe aktualisht janë 500 kuota pranimi për studentët e mjekësisë. Për herë të parë ka nisur zbatimi i kontratës për shërbimin publik, sipas së cilës çdo student i mjekësisë që diplomohet do të punojë për tre vite në vendin e tij, në sistemin tonë shëndetësor. Jam shumë e kënaqur që 94% e studentëve të vitit të parë e kanë firmosur këtë kontratë”, nënvizoi ministrja. Duke u ndalur tek motivimi dhe vlerësimi i kontributit të mjekëve shqiptarë në misionin e tyre human, ministrja e Shëndetësisë theksoi se do të vijojë rritja eksponenciale e pagave për mjekët specialist deri në 2030.

”Janë përmirësuar ndjeshëm dhe pagat e mjekëve, ku në vitin 2013 paga e mjekut specialist ishte 490 euro, dhe në 2030 synojmë që kjo pagë të jetë 2000 euro”, theksoi ajo, ndërsa u ndal në investimet e rëndësishme që janë bërë ndër vite në sektorin publik të shëndetësisë, si për sa i përket infrastrukturës ashtu edhe formimit të personelit mjekësor. Ceremonia u përshëndet nga rektori Xheladin Draçini, dekania Margarita Gjata dhe profesor Agron Ylli.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?