Ministrja Sala: Heqim kufizimin moshor për check-up
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale po ndërmerr politika të reja për zgjerimin e aksesit në shërbimet shëndetësore dhe sociale, me fokus mbështetjen e të moshuarve. Duke filluar nga muaji shtator, propozohet heqja e kufizimit të sipërm të moshës për kryerjen e kontrollit bazë shëndetësor (Check-Up), duke u dhënë mundësi të gjithë qytetarëve mbi 35 vjeç ta përfitojnë këtë shërbim falas. Paralelisht, intensifikohen politikat sociale për të moshuarit dhe, për herë të parë, lançohet Linja e Këshillimit për të Moshuarit, një shërbim i dedikuar për informim, orientim dhe mbështetje në aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore, sociale dhe shërbimeve të tjera publike.
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, zhvilloi një bashkëbisedim me të moshuarit në Qendrën Sociale Ditore në Pogradec, ku prezantoi nismat e reja që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre, rritjen e aksesit në shërbime dhe garantimin e një mbështetjeje më të afërt e më gjithëpërfshirëse.
Ministrja Sala tha se Ministria e Shëndetësisë ka propozuar pranë Këshillit të Ministrave një ndryshim të rëndësishëm në programin kombëtar të Check-Up, i cili është në pritje të miratimit nga qeveria shqiptare dhe synon zgjerimin përfitimin e kontrollit bazë shëndetësor falas për të gjithë qytetarët mbi moshën 35 vjeç, pa kufizim të sipërm moshor.
“Kemi propozuar pranë Këshillit të Ministrave heqjen e kufizimit të sipërm të moshës për kryerjen e Check-Up falas. Deri më sot, shërbimi ofrohej për grupmoshën 35-70 vjeç. Çdo qytetar mbi 35 vjeç, pavarësisht moshës, do të mund ta kryejë Check-Up falas. Kjo do të thotë se edhe qytetarët 70, 80 apo 90 vjeç do të kenë të njëjtën mundësi për të kryer kontrollet parandaluese, sepse kujdesi për shëndetin nuk ka kufi moshe”, deklaroi ajo.
KOHA JONË SONDAZH

