Ministrja Sala në Asamblenë e OBSH-së: Shqipëria forcon angazhimin për mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, po merr pjesë sot në sesionin e 79-të të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë, eventet e së cilës nisën me diskutimet për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet online dhe ndikimi i dhunës digjitale.
Në memorialin kushtuar fëmijëve të humbur si pasojë e dhunës digjitale, një nismë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë me pjesëmarrjen e dukeshës së Sussex Meghan Markle, event që çeli javën e Asamblesë Botërore të Shëndetësisë, ministrja Sala rikonfirmoi angazhimin e fortë të Shqipërisë për vendosjen e fëmijëve në qendër të politikave dhe reformave sociale.
“Jemi ndër vendet e para në Ballkanin Perëndimor që kemi miratuar një Plan Kombëtar Veprimi për Garancinë Evropiane për Fëmijët, me një fokus të qartë: parandalimin, përfshirjen dhe moslënien e asnjë fëmije pas.
Dhënia fund e dhunës ndaj fëmijëve nuk mund të mbetet vetëm një deklaratë vullneti; ajo kërkon guxim politik dhe bashkëpunim ndërkombëtar”, nënvizoi ministrja Sala.
Gjithashtu, Shqipëria është pjesë e Këshillit të Kampionëve të OBSH, një hap i rëndësishëm në një kohë kur dhuna ndaj fëmijëve po konsiderohet gjithnjë e më shumë një sfidë e shëndetit publik, e të drejtave të njeriut dhe e zhvillimit.

KOHA JONË SONDAZH

