
Qendra Shëndetësore nr. 10 në Tiranë, e cila shërben si qendër pilot për modelin e mjekësisë familjare, po zgjeron shërbimet për pacientët, ndërsa 11 mjekë të rinj po zhvillojnë praktikën profesionale pranë kësaj qendre. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu vizitoi sot këtë qendër, ku u njoh nga afër me punën e personelit shëndetësor, organizimin e shërbimeve dhe kujdesin që u ofrohet pacientëve.
Gjatë vizitës, Spahiu u informua se në këtë strukturë shëndetësore po shënohet rritje e vaksinimeve kundër HPV-së te djemtë, një masë parandaluese që synon mbrojtjen e shëndetit dhe uljen e rrezikut nga sëmundjet e lidhura me këtë virus.
Një tjetër aspekt i shërbimit është kujdesi për pacientët që kanë vështirësi në lëvizje. Mjekët e familjes kryejnë vizita në banesë për personat me aftësi të kufizuara dhe pacientët që, për shkak të gjendjes shëndetësore, nuk mund të paraqiten pranë qendrës. Për këta pacientë, mjekët mbajnë të dhëna të identifikuara dhe organizojnë vizitat sipas një kalendari të përcaktuar.
Ministrja u takua edhe me mjekët e rinj që po kryejnë praktikën pranë kësaj qendre, duke u njohur me përvojën e tyre dhe përfshirjen në shërbimet e përditshme. “Në një kohë kur ka shumë zëra dhe debate, unë besoj se përgjegjësia më e madhe është të jemi pranë qytetarëve, të dëgjojmë nevojat e tyre dhe të tregojmë me punë konkrete se çfarë po bëjmë për ta”, u shpreh Spahiu.
Qendra Shëndetësore nr. 10 është e vetmja në kryeqytet që funksionon sipas këtij modeli pilot të mjekësisë familjare, me synimin për të përmirësuar organizimin e shërbimeve dhe aksesin e qytetarëve në kujdesin shëndetësor.
