Ministrja Spiropali nga Athina: Mora mbështetje për integrimin në BE, Greqia të përdorë peshën e saj politike
”Të hapim një kapitull të ri duke parë të shkuarën tonë me sytë e së ardhmes së përbashkët”,-tha ministrja e Europës dhe Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun grek Giorgos Gerapetritis në Athinë. Ajo e vuri theksin tek anëtarësimi i vendit tonë në BE, për të cilin tha se ka marrë mbështetjen e Greqisë.
”E sotmja e përbashkët në Atlantikun e Veriut dhe e nesërmja e përbashkët në BE. Qeveria e Ramës e ka konsideruar strategjik partneritetin mes dy vendeve tona. Objektivi ynë kombëtar Integrimi Europian nënkupton mbylljen e grupkapitujve të negociatave deri në 2027. Mirënjohje për mbështetjen e Greqisë në këtë prioritet. Mora rikonfirmimin për vazhdimësinë e kësaj mbështetje deri në përfundimin e bisedimeve teknike të anëtarësimit të Shqipërisë që përkon me presidencën greke.
Ne duam të thellojmë dialogun, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ekspertizës teknike për një presidencë sa më produktive ku Greqia në krye të BE do jetë si “the adult in the room” për Ballkanin Perëndimor. Ne presim që Greqia të përdorë peshën e saj politike për të avancuar idenë e një hapësire të përbashkët evropiane, ku rajoni të trajtohet si një tërësi strategjike, në respekt dhe të meritave të gjithsecilit”, theksoi Spiropali.
Duke vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve Spiropali apeloi për investime greke në vendin tonë dhe nxitje të komunikimeve mes studentëve, shoqërive e grupeve akademike mes dy vendeve. ”Marrëdhënia jonë e ngritur me lidhje të thella dhe gjeografikisht të patundshme zhvillohet mbi ura të përbashkëta ku minoriteti grek dhe bashkëkombasit tanë që jetojnë e punojnë në Greqi janë urat më të fuqishme të kësaj fqinjësie. Do bëj thirrje për investime në Shqipëri. Të nxisim komunikimet me shoqëritë tona grupet akademike, studentë grupet e të interesit dhe shkëmbimeve njerëzore që qëndrojnë në themel të miqësisë tonë”.
KOHA JONË SONDAZH

