Ministrja Spiropali: Të angazhuar për arritjen e marrëveshjes për pensionet me Greqinë
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim me komunitetin shqiptar në Athinë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjes me rrënjët dhe kulturën shqiptare jashtë vendit. “Ku ka shqiptarë, ka zemër të mirë, ngrohtësi, atdhedashuri”, shkruan Spiropali në postimin e saj, duke vlerësuar sakrificën, punën dhe dinjitetin e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi.
“Me shqiptarët e Greqisë, që përfaqësojnë një kapitull të gjallë të historisë moderne të Shqipërisë, në një pritje të veçantë kuqezi në zemër të Athinës. Krenare për këtë komunitet që me sakrificë, punë, ndershmëri, dinjitet ka ndërtuar jetën pa harruar rrënjët”, theksoi ministrja. Ajo nënvizoi angazhimin e plotë të qeverisë për të arritur Marrëveshjen për Pensionet, një hap i rëndësishëm për garantimin e të drejtave dhe përmirësimin e aksesit në shërbime për qytetarët shqiptarë në Greqi.
“Ne jemi plotësisht të angazhuar për të arritur Marrëveshjen për Pensionet, për garantimin e të drejtave dhe rritjen e aksesit në shërbime për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi”, theksoi Spiropali. Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, George Gerapetritis, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali po zhvillon një vizitë zyrtare në Athinë.
Vizita nisi dje në Presidencën greke, ku Spiropali u prit nga Presidenti i Republikës, Konstantinos Tasoulas. Më pas, Spiropali pati në një takim dypalësh me homologun e saj, Gerapetritis, ku u diskutua mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, mbështetja e e Greqisë për integrimin europian të Shqipërisë dhe avancimi i bashkëpunimit strategjik në rajon. Pas takimit dypalësh, ministrat mbajtën një deklaratë të përbashkët për shtyp. Mëngjesin e ditës së dytë, Spiropali zhvilloi takime me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Dendias, dhe me përfaqësues të bizneseve dhe sipërmarrjeve që operojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë, për të diskutuar potencialin e bashkëpunimit ekonomik.
KOHA JONË SONDAZH

