Ministrja Spiropali: Tejet e indinjuar nga sulmi i paprecedent ndaj ambasadorit të BE-së
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali reagoi sot ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, lidhur me orientimin e tij seksual. Spiropali u shpreh në një reagim në rrjetin social X, “tejet e indinjuar nga sulmi i paprecedentë ndaj ambasadorit të BE-së dhe ndaj vlerave të BE-së në Parlament ditën e sotme”.
Sipas saj, qeveria shqiptare dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme distancohen plotësisht nga retorika dhe qëndrime të tilla. ”Sot, është rasti të përsërisim edhe një herë me zë të lartë se Shqipëria qëndron e bashkuar me Europën. Ky spektakël i pahijshëm nuk do të na dekurajojë nga reformat jetike të integrimit, as nga angazhimi ynë thelbësor për të ngushtuar në Zero hendekun e mundësive për gratë dhe vajzat”, tha Spiropali.
Edhe Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos, reagoi sot për deklaratat e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, lidhur me orientimin e tij seksual.
Kos u shpreh se sulme të tilla janë të papranueshme. ”Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të pranimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë private e ambasadorit të BE-së në Shqipëri. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm”, theksoi Kos, në një reagim në rrjetin social X.
KOHA JONË SONDAZH

