Miqësi e ngushtë me traditë

 

Gjermanët dhe francezët e vlerësojnë si të qendrueshme miqësinë e tyre, edhe kur nuk janë gjithmonë të të njëjtit mendim.Këtu luan një rol të madh edhe të mësuarit e gjuhës së vendit tjetër.

Më shumë bashkëpunim midis të dyja vendeve, para së gjithash në luftimin e terrorizmit: këtë e dëshirojnë njerëzit në Gjermani dhe në Francë. Kjo rezulton nga një sondazh binacional i bërë me porosi të Saarländische Rundfunk (Radios së Landit të Zarës) dhe Deutsche Welles. Në qershor të këtij viti, studiues të Institutit të Studimit të Opinionit infratest dimap dhe kolegët e tyre francezë të TNS Sofres pyetën rreth 2000 vetë në të dyja vendet për marrëdhëniet midis dy shteteve fqinjë. Rezultati: gjermanët dhe francezët kanë të njëjtat vlerësime – thuajse për të gjitha temat. Ky sondazh kryhet çdo vit me rastin e dorëzimit të Çmimit Gjermano-Francez të Gazetarisë. Fituesi i këtij viti është Organizata e përbotshme Cartoonig for Peace (Karikatura për paqen) e themeluar nga karikaturisti francez Plantu ("Le Monde").

Marrëveshje e pabarabartë

Në përgjithësi, raporti midis të dyja vendeve vitin e kaluar ka qenë i qendrueshëm, gjykuan personat e pyetur. 60 përqind e gjermanëve dhe 59 përqind e francezëve thanë se nuk ka pasur thuajse fare ndryshime. 23 përqind e gjermanëve dhe 19 përqind e francezëve mendojnë se ka pasur përmirësim të marrëdhënieve. Vetëm 11 përqind përkatësisht 13 përqind mendojnë se raporti është keqësuar. Pra gjithçka mbarë në raportet gjermano-franceze, apo jo?

Françoise Retif e sheh këtë në mënyrë më të diferencuar. Drejtuesja e Institut Français në Bonn thotë në bisedë me DW se midis dy vendeve ka ndryshime të konsiderueshme. "Gjermania është bërë më tërheqëse për francezët, por anasjelltas nuk vlen e njëjta gjë", beson Retif. "Kjo ka të bëjë ndër të tjera me situatën ekonomike në Francë. Gjermanët janë drejtuar nga vende të tjera."

Frankreich Angela Merkel und Francois Hollande in Paris

Vitin e kaluar, edhe përgjigjet e të anketuarve pasqyronin një mungesë barazpeshimi midis të dyja vendeve. Atëherë, 75 përqind e francezëve dhe 47 përqind e gjermanëve thanë se është Gjermania ajo që e përcakton tonin në marrëdhëniet dypalëshe.

Por Rétif thekson edhe se miqësia gjermano-franceze tashmë është bërë e vetëkuptueshme. Kush e besonte këtë pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur të dyja vendet ishin armiq të betuar?

Dëshira për bashkëpunim

Sot, Gjermania dhe Franca kanë një armik të përbashkët: terrorizmin. 58 përqind e gjermanëve dhe 57 përqind e francezëve thanë se në luftë kundër terrrorizmit të dyja shtetet duhet të bashkëpunojnë veçanërisht ngushtë.

Përsa u përket fushave të tjera të bashkëpunimit, personat e pyetur kishin mendime disi të ndryshme. 57 përqind e gjermanëve të pyetur ishin të mendimit se dy të dyja vendet duhet të bashkëpunojnë më ngushtë për politikën ndaj refugjatëve, por të këtij mendimi ishin vetëm 24 përqind e francezëve. 59 përqind e francezëve konsideronin krijimin e vendeve të reja të punës për një projekt më të rëndësishëm, kurse nga gjermanët të këtij mendimi ishin vetëm 34 përqind e të pyeturve.

Të flasësh gjuhën e tjetrit, kjo është bazë për çdo bashkëpunim, pavarësisht nëse bëhet fjalë për refugjatë apo për vende pune. 58 përqind e gjermanëve dhe 60 përqind e francezëve e konsiderojnë të rëndësishme të mësosh gjuhën e fqinjit. "Gjuha përcjell një kulturë", thotë Francoise Rétif nga Institut Français. "Kur flet gjuhën e tjetrit, njeh mënërën e tij të të menduarit dhe të të jetuarit."

SHKARKO APP