Miqësia Shqipëri-Kinë, sot 65 vjeçe

Shqipëria është ndër vendet e para që e ka njohur shtetin e ri kinez i dalë nga përfundimi i Luftës Civile midis komunistëve, të udhëhequr nga Mao Ce Dun, dhe nacionalistëve, udhëhequr nga Çan Kai Shi. Kjo ka ndodhur vetëm më pak se dy muaj pas datës 1 tetor 1949, kur u shpall Republika Popullore e Kinës. Por telegrami i parë përshëndetës nga Shqipëria ka shkuar në Peiping, kështu thirrej Pekini atëherë, në datën 21 shtator 49, dhjetë ditë para shpalljes së RP të Kinës.

Duhet thënë se hapin e parë e që më vonë solli një periudhë mjaft të gjatë mjalti midis dy vendeve e ka bërë Shqipëria. Në fund të shtatorit të vitit 1954 ajo dërgoi në Pekin një delegacion qeveritar të kryesuar nga ministri i Jashtëm, Behar Shtylla. U përdor rasti i festimeve të pesë vjetorit të ditës kombëtare të Kinës, por qëllimi ishte që të vendoseshin bazat e një rrugëtimi të gjatë. Delegacioni shqiptar u prit në nivelet më të larta, e me nderime që vetëm kinezët dinë t'i manifestojnë. Dëshirës shqiptare për një miqësi e marrëdhënie të ngushta midis dy vendeve tona, udhëheqja kineze iu përgjigj me një gatishmëri të lartë, e pothuajse të pazakontë. Me atë rast midis dy vendeve u nënshkruan: Marrëveshja mbi Bashkëpunimin Kulturor si dhe Konventa mbi Bashkëpunimin Tekniko- Shkencor. Këto njihen si dokumentet e para zyrtare të përfunduara midis dy vendeve, e që vazhdojnë të nënshkruhen deri në ditët tona.

Vetëm një muaj më vonë Kina nisi drejt Tiranës një delegacion të lartë shtetëror, të kryesuar nga njëri prej personaliteteve më të fuqishëm të asaj kohe, zoti Li Hsiannian. Edhe për këtë u përdor preteksti i pjesëmarrjes në festimet e dhjetë vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Si krushku i parë i një lidhjeje të gjatë, zv. kryeministri kinez, krahas ndjenjave të një miqësie të sapo ngjizur, solli në Shqipëri edhe dhuratat e para që konsistonin në dhjetëra mijë tonë grurë, oriz, tekstile etj.

Duke filluar nga ajo kohë, të gjitha vizitat delegacionet e niveleve të larta në vendet respektive, janë shoqëruar me kërkesa, dhurata, ndihma, kredi, kërkesa të tjera mbi kërkesat e para, premtime e diskutime pa fund. Çështja kishte arritur deri aty sa qeveria shqiptare nuk bënte asnjë lloj projekti e planifikimi, pa qenë plotësisht e siguruar tek ndihma e mbështetja e Kinës. Çdo hartimi të planit pasardhës pesëvjeçar, mbi bazën e të cilëve zhvillohej ekonomia shqiptare, i paraprinte një letër e gjatë e qeverisë shqiptare për qeverinë kineze, e, më pas, një delegacion qeveritar shqiptar udhëtonte drejt Kinës me një axhendë të ngarkuar, me udhëzime të sakta nga Byroja Politike, me plan A, B e C dhe, po të ndodhte që oreksi nuk përmbushej siç ishte bërë plani, kreu i delegacionit rrezikonte fundin e tij. Kjo është e vërtetë kur dihet fati i Këllezit, Ngjelës, Ballukut e shumë të tjerëve.

Në vitet e para, qeveria kineze u tregua e gatshme të merrte parasysh edhe kërkesat që bëheshin mbi kërkesat e mëparshme. E ka furnizuar Shqipërinë edhe me pajisje teknologjike që vetë nuk i dispononte, por i ka blerë enkas për Shqipërinë. Azotiku i Fierit është shembulli më i qartë, pasi u importua i tëri nga Italia me paratë e Kinës, në kushtet kur kjo nuk e dispononte as për vete një të tillë. Por janë pa fund pjesët e veçanta që janë blerë nga Kina në Perëndim për llogarinë shqiptare, e që janë montuar në Kombinatin Metalurgjik, në Uzinën e Telave, në Kombinatin e Auto traktorëve e shumë fabrika e uzina, që fatkeqësisht sot nuk u dihet as nami e nishani.

Udhëheqja kineze nuk la kërkesë shqiptare pa plotësuar, për sa kohë që ajo e gjykonte se vërtet vendit tonë i duheshin shumë gjëra, e se populli shqiptar meritonte më shumë se çfarë fati e vuajtjet i kishin rezervuar. Buka ishte ushqimi bazë, e që në ato vite prodhimi bujqësor shqiptar nuk i përmbushte nevojat. Kina u kthye në një furnizues të rregullt të Shqipërisë me drithë, edhe pse për veten e saj blinte 5-6 milionë tonë në vit. Më shumë se një herë ka ndodhur që, në përgjigje të kërkesave urgjente shqiptare për drithë, anijet e mbushura më grurë kanadez apo australian që udhëtonin drejt Kinës, në mes të oqeanit e kanë kthyer timonin e tyre drejt portit të Durrësit.

Me durimin që i karakterizon, udhëheqësit kinezë nuk u lodhën së falënderuari homologet e tyre shqiptarë për ndihmën që vendi ynë i kishte dhënë Kinës, në ditët e saj jo fort të këndshme të marrëdhënieve të acaruara me Moskën. Më vonë nuk lanë, dhe edhe tani nuk lënë rast pa falënderuar për ndihmesën që kishte dhënë Shqipëria për pranimin e Kinës në OKB.

Theksoj se, asgjë e askush nuk e zbeh mbështetjen politike që Shqipëria i ka dhënë Kinës, pasi ajo ishte gjëja më e madhe që një vend me një popullsi sa një qytet mesatar i Kinës mund të bënte për gjigantin botëror. Por është paradoks të mendohet se, po të mos ishte përkrahja e Shqipërisë në luftën kundër social imperialistëve sovjetikë të asaj kohe, Kina do të ishte kthyer në një koloni ruse, apo do t'i kishte ndodhur ndonjë gjëmë më e madhe. Ashtu, sikurse asnjeri, nuk mund ta mendojë absurditetin se, po të mos ishte Shqipëria, Kina nuk do të ishte bërë anëtare e OKB dhe e Këshillit të Sigurimit. Me ose pa Shqipërinë, rrjedha e historisë kineze e asaj botërore do të vazhdonte njësoj. Ndërsa, te e pakta brezi im, por edhe ata më të rinjtë e dinë se po të mos ishte ndihma e Kinës për më shumë se dy dekada, Shqipëria nuk do të kishte energji të mjaftueshme elektrike, as për nevojat e saj, jo më për të shitur, nuk do të eksportonte plehra kimike, nuk do të kishte atë industri përpunuese të kromit e bakrit, nuk do të kishte çimento, tekstile e shumë e shumë produkte të tjera. Çdo vit në portin e Durrësit janë shkarkuar më shumë se 600 mijë tonë mallra të ardhura nga Kina. Gjatë një çerek shekulli, me ndihmën e Kinës në Shqipëri u ndërtuan me shume se 130 vepra të mëdha industriale. Për vënien e tyre në punë në Kinë u përgatiten rreth 3 mijë specialistë shqiptarë, në një kohë kur 6 mijë teknikë e inxhinierë kinezë kanë asistuar proceset e montimit e vënies në pune të atyre veprave. Për pasojë, pa ndihmën dhe mbështetjen e Kinës, në ato vite edhe jeta e shqiptareve do të ishte ndryshe. Kjo pasi udhëheqja e atëhershme shqiptare e kishte futur vendin në një izolim total dhe, nga dokumentet e kohës mësohet se asnjë nga vendet fqinjë nuk pranonte qoftë edhe t'i shiste me para në dorë Shqipërisë.

Arsyet që ndihmat kineze ndaj Shqipërisë erdhën duke u shkurtuar janë kryesisht ideologjike, por jo vetëm. Unë mendoj se arritja deri në atë pikë është krejt logjike dhe nuk mund të kishte një përfundim tjetër. Kështu do të ndodhte edhe nëse Kina nuk do të kishte hyrë në rrugën e reformave, por ndryshimet politike atje, e përshpejtuan fundin e pashmangshëm. Gjykoj se kishte ardhur koha që Kina të lihej në hallet e punët e veta, e të mos vazhdonte të dëgjonte përjetësisht e pafundësisht edhe hallet tona. Rrjedha e zhvillimeve te mëtejshme në marrëdhëniet midis dy vendeve tona është e njohur.

Ne ditët tona marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kinës janë krejt të normalizuara. Janë vendosur shkëmbime të rregullta, pothuajse në të gjitha fushat me interes reciprok, ku, padyshim prioritet kane ato në fushën e tregtisë. Kina është një partner mjaft i rëndësishëm tregtar i Shqipërisë. Nga ana jonë është vlerësuar roli i madh i Kinës, si një faktor mjaft i rëndësishëm në stabilitetin e ekonomisë dhe financave botërore, por edhe si një faktor paqeje e stabiliteti, sidomos në rajonin e Azisë. Vitin e fundit qeveria shqiptare i ka kushtuar një rëndësi edhe më të madhe bashkëpunimit me Kinën, duke i ofruar biznesit kinez ndërtimin e një sërë veprash mjaft të rëndësishme për zhvillimin e vendit si; porte, rrugë, hidrocentrale etj. Qeveria shqiptare po punon me projekte konkrete për t’u bërë përfituese edhe e projektit në madh kinez në vlerën e 10 miliardë dollarëve për investime në Europën Qendrore e Juglindore. Natyrisht që kjo kërkon një përgatitje serioze, jo vetëm në përzgjedhjen e projekteve, por edhe në ngritjen e një strukture që të bëjë të mundur marrjen dhe përpunimin e informacionit të saktë si dhe përditësimin e komunikimit me instancat e duhura kineze. Për t’u vlerësuar është edhe bashkëpunimi në fusha të tjera, si në atë të arsimit, kulturës, sporteve etj. Ndërsa në Tiranë Instituti i Konfucit ka hyrë në vitin e tij të dytë, qeveria kineze në mënyre të rregullt vazhdon të ofrojë bursa studimi për studentë shqiptarë të niveleve universitare e pasuniversitare.

65-vjetori i historisë së përbashkët shqiptaro-kineze është një rast i mire për të bërë një bilanc se si kanë ecur këto marrëdhënie ndër vite, për të kujtuar ditët më të mira që kemi kaluar bashkë, por edhe ato më të vështirat, duke nxjerrë edhe mësimet e konkluzionet e duhura. Me këtë rast, në Kinë organizohen veprimtari të larmishme nga institucione shtetërore, por edhe nga organizata e shoqata të ndryshme shoqërore. Është për të ardhur keq që në vendin tonë ky përvjetor kaloi pothuajse pa u ndjerë. Në dijeninë time, me përjashtim të disa ekspozitave apo shfaqje filmi të organizuara nga ambasada kineze në Tiranë, nuk ka patur asnjë veprimtari përkujtimore, as nga Shoqata e miqësisë Shqipëri-Kinë, nëse ekziston një e tillë, apo edhe nga Dhoma e Tregtisë midis dy vendeve, që u krijua vitin e kaluar.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm dua të theksoj se asgjë nuk e zbeh faktin se, edhe pse nuk kemi qenë në gjendje që marrëdhëniet me Kinën ndër vite t’i vlerësojmë ashtu siç e meritojnë, ne, shqiptarët, duhet të ndjehemi me fat që, në ditët tona më të vështira, kemi patur pranë një popull si ai i Kinës, të cilit i detyrohemi te e pakta me një fjalë: MIRËNJOHJE!

*Ish-ambasador i Shqipërisë në Kinë

 

SHKARKO APP