Miratohet marrëveshja për sigurimet shoqërore me Poloninë, Ministrja: Në negociata edhe 4 shtete të tjera
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Poloninë, duke e çuar në 17 numrin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Shqipëria, 11 prej të cilave me vende të Bashkimit Europian.
“Ministria e Ekonomisë sot kaloi një projekt vendim, një miratim në parim i marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Poloninë, duke e çuar në 17 numrin e marrëveshjeve të nënshkruar nga RSH ku bashkë me marrëveshjen me Slloveninë janë 11 marrëveshje të cilat janë firmosur me vendet e Bashkimit Europian. Unë dua të kujtoj këtu që kjo është një politikë e cila prej disa vitesh tashmë ka filluar dhe është intensifikuar nga ana e qeverisë shqiptare, pasi është thelbësore në mbrojtjen e të drejtave të punës dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe pagesave që çdo individ mund të marrë në të ardhmen pasi ka kryer disa vite pune në Republikën e Shqipërisë dhe disa vite pune në një vend tjetër. Ka qenë një problem i cili ndër vite është mbartur”, njoftoi Ibrahimaj.
Sipas ministres, deri tani rreth 20 mijë shqiptarë kanë përfituar nga marrëveshjet për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, ndërsa bëri të ditur se katër marrëveshje të tjera janë në proces negociatash dhe pritet të miratohen së shpejti.
KOHA JONË SONDAZH

