Miratohet pr-ligji për faljen e gjobave të kontributeve të detyrueshme

 

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi projektligjin “Për faljen e gjobave për mospagimin në afat të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga subjektet juridike dhe fizike”.

Pr/ligji propozon shtyrjen e afatit për faljen e 80% të gjobave të papaguara nga personat dhe subjektet.

Afati i fundit ishte parashikuar për në 31 mars të këtij viti, por qeveria kërkoi shtyrjen deri në shtator. Qëllimi është lehtësimi i subjekteve nga barra e gjobave të prapambetura të kontributeve shoqërore.

Deri tani numërohen 38 mijë biznese me detyrime të papaguara për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Projektligji parashikon të falen vetëm gjobat dhe jo kamatvonesat.

“Shuma e gjobave arrin në 5.7 miliardë lekë. Detyrimet e kamatvonesave arrijnë në 1.5 miliardë lekë, detyrim ky që bizneset duhet ta paguajnë për mosderdhje të kontributeve.

Gjatë diskutimit në Komision, ish- ministri i Financave, Ridvan Bode kërkoi që ky lehtësim fiskal të përfshijë jo vetëm gjobat, por edhe kamatvonesat, si dhe të zgjatet afati kohor edhe në këtë vit.

Gjithashtu sipas Bodes, kjo falje duhet të jetë në masën 100 %. Sipas relacionit shoqërues të këtij projektligji, kjo bëhet edhe në kuadër të luftës së qeverisë për të reduktuar informalitetin dhe falen gjobat për sigurimet shoqërore e shëndetësore në masën 80%.

Ndërkohë janë 38 mijë subjekte që kanë detyrime të papaguara që përfitojnë nga kjo falje.

SHKARKO APP