Mirëkeqkuptimet…

 

Fejton

Nga Thoma Goga

Na ndodh shpesh të mirëkuptohemi ose dhe të keqkuptohemi. Por ka dhe nga ato situata që as kuptohesh, as keqkuptohesh. Prandaj dhe në titull vura këtë paradoks “Mirëkeqkuptimet…”.

Dikur në qytetin tim ka qenë një furrë buke që punonte më solar. Në një parcelë toke pranë furrit, rrinin në gatishmëri fuçitë me lëndën djegëse. Po një ditë, nën vapën përvëluese, rrëkezës ku rridhnin pika solari, ra zjarri. Në fillim mori bari dhe pastaj solari me gjithë fuçitë. Skenën e kam parasysh edhe sot. Ngriheshin fuçitë deri në 25-30 metra dhe shpërthenin. (Këtu kam sjellë në mend atë shprehjen “Fuçi baruti”…O zot, po qe kështu Ballkani vërtetë!). Duheshin marrë në telefon sa më shpejt zjarrëfikësit në qendër të rrethit. Po ata telefona që punonin si mulli kafeje, përveç vonesës, edhe fjalët i “bluanin” keq. Ja dialogu origjinal midis Centralistit dhe Zjarrëfiksit:

– Shpejt se ka marrë zjarr solari!

– Ë, ça ka marrë?  

– Ëngla të preftë! Zjarr, ore zjarr te solari.

– E ‘re, punë e madhe se u dogj mullari…

– O gomar, kemi marrë zjarr.

– Pse e lidhni gomarin te mullari? Hë ‘re, se gomar është…

Ndërkohë centralisti shfryu gjithë inat dhe dikë shau. S’kish faj. Sa të merrej vesh se kush po digjej, vate dhe u sos fusha me gjithë fuçi. Më keq akoma se aty rrotull ishin dhe ca shtëpi. E në atë mllef i dha një të rrutulluar “mullirit”. Por edhe kjo nuk dha sukses. Pas një ore erdhi zjarrëfiksia. Mbase nga frika dhe për të qenë brenda, “e bënë dhe detyrën”. Dhe me shpejtësinë e gatishmërinë “që i karakterizonte”, pyetën se ku ndodhej mullari dhe gomari…Ky ishte një rast tipik keqkuptimi.

Po ka edhe më keq. Në një nga rrethet kufitare të veriut, ku vigjilenca kultivohej “që në bark të nënës”, vite e vite të shkuara ka ndodhur edhe kjo mesele, që vuri shtetin në “provë”. Hapej një kanal që të shkarkoheshin rezervuarët kur tejmbusheshin. Ishte një terren, ku vetëm krahu i njeriut nuk e bënte dot. Kërkoheshin dhe mjete. Duhej mbaruar shpejt se ishte zonë kufitare. Prapë një centralist, që këtë herë veshët i kishte “pipëz”, transmetonte një telegram për bazën se “është nisur dhe po vjen buldozeri. Merrni masa”. Po kolegu tjetër, që e mori telegramin, fjalën “buldozer” e shkroi “bundezver”. Vigjilenca dhe gatishmëria “revolucionare” bëri që të ngrihej në alarm luftarak të shkallës së parë e gjithë zona kufitare. Në vend që të prisnin buldozerin, morën pozicionet për të mos lejuar “ardhjen e gjermanit” për herë të dytë…

Kur keqkuptimet janë pa dëm, le t’i quajmë mirëkeqkuptime. Po sjell një shembull nga shkolla. Në orën e letërsisë, mësueja ngre nxënësin, që nuk e dinte nga “binte” libri me vjersha “Lulet e verës” të N. Frashërit. Shokët që e ndihmonin nga bangat, ia thoshin saktë, po ai prapë “e përkthente” kështu: Lulet e vesës, Lulet e ferrës, Lulet e lerës, Lulet e erës, Lulet e serës, Lulet e pelës … Vetëm “Lulet e verës” nuk e tha që nuk e tha.

Ca mirëkeqkuptime ndodhin edhe në fushën e mjeksisë, sidomos me ca pacientë që nuk kanë vetëm një diagnozë. Dikush ishte nisur për të parë një mikun e tij në spital. Po dhe vetë kishte problem me veshët. Eh, s’ke ç’bën! Hyri në pavion dhe takoi mikun e shtruar.

– Si je?

– Keq,- ia ktheu pacienti.

– E po shyqyr…Të hahet ndonjë gjë, më thuaj mua.

– Më hahet një m…

– Ore ha, ha se duke ngrënë vjen oreksi…

– Ik ore firaun, se do fle gjumë. Ti qënke më i sëmurë se unë!

Një ngjarje tjetër reale. Udhëtari i rastit kalonte ndanë rrugës, përshëndeti një bujk që po punonte tokën. Po atë çast bujku kishte nxjerr çibukun dhe po e mbushte me duhan.

– Puna e mbarë!- uroi udhëtari.

– Në Korçë e kam marrë…(iu duk se e pyeti për çibukun).

– Qenke shurdh, o mos dëgjofsh!…

– Gëzuar qofsh! (e mori si urim për çibukun).

Në korridoret e një poliklinike nga zonat provinciale, “kalemi” rregjistroi këtë dialog:

– Më ka zënë algjeria (kuptohet, e kishte fjalën tek alergjia).

– Edhe mua më tha doktori se “po të ra prapë “nitrati” do veç në të sat tëme…”.

Bashkëfolësi tjetër u prek dhe mori pak inat. U fut në sherr për atë të shkretë “infarkt” . Pastaj nuk ia përtoi dhe iu kthye:

 – Ore ka thënë të veç në të sat tëme tënde ai e jo “në të sat tëme” time.

– E mo, ç’bëri njëlloj jemi; aty-aty. Në një rrugicë banojmë…

Domosdo, nga rrugica në këtë rrugë të madhe nga jemi nisur e po shkojmë, edhe nga këto do dëgjojmë. Madje edhe do lexojmë “xhevahire” në ca gazeta që “e vrasin lartë pazarin”, po “marrin ujë” nga poshtë. Kështu në një nga “prestigjozet” tona, fjala “ministër” del “misër”, bashkohen dy lidhëzat “por+dhe” dhe ju e kuptoni vetë ç’erë mban gazeta…Pastaj “këngë” u del “këmbë”. E po të ngjitesh më lartë nga këmbët, i bie të jenë ftohur deri në tajare… Po edhe këto po i fusim te “mirëkeqkuptimet”, meqë janë pa zarare,..                                

 

SHKARKO APP