Misioni i 3 rebelëve të Shkodrës për rrëzimin e Enverit
Frymëzuar nga Revolucioni Hungarez 1956, tre të rinj nga Shkodra hartojnë tekstin dhe dizajnojnë traktet e para të shkruara me dorë pas çlirimit, për përmbysjen e regjimit të Enver Hoxhës, duke i shpërndarë brenda tri muajve deri në Tiranë. Si u konsiderua rebelimi i tyre nga Sigurimi i Shtetit, të diktuar drejtpërdrejt nga Feçor Shehu; shpëtimi nga pushkatimi dhe torturat në birucat e burgjeve të Shkodrës e Burrelit
Tre të rinj: Ndrek Brazhdari, Nikolin Pavaçi dhe Karlo Çefa, këta shkodranë të frymëzuar nga Revolucioni Hungarez i vitit 1956, kur regjimi diktatorial në Shqipëri ishte në zenit e tij në dënime, vrasje, pushkatime e internime –guxuan të ngrinin krye, duke hedhur traktet e para të rebelimit.
Kështu kujton një prej tyre, Ndrek Brazhdari, në një rrëfim të dhënë për dy shkrimtarët, Agron Tufa dhe Luljeta Lleshanaku, në librin “Zërat e kujtesës”, vëllimi i dytë që hyn në kolanën e burgologjisë, që nxjerr Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.
Ky personazh vjen në këtë frymë, duke kujtuar se si në këtë kohë ishte dhënë një urdhër prej qeverisë së asaj kohe, që të gjitha institucionet, në orën 10 të mëngjesit deri në orën 12 të drekës, do të dilnin të dëgjonin informacionet mbi ngjarjet e Budapestit dhe në mbarë Hungarinë, që shpërndaheshin përmes radios, në altoparlantë të instaluar nëpër rrugë e nëpër institucione. Brazhdari kujton se ky ishte rasti që shfrytëzuan, për të shfaqur revoltën e tyre përmes grumbullimeve të njerëzve, për të shpërndarë traktet e hartuar prej tyre dhe për t’u dhënë frymë më revolucionare atyre përpjekjeve që bënte populli hungarez kundër pushtimit rus. Traktet e përpiluara prej këtyre tre të rinjve arritën të hidheshin në Tiranë dhe në Shkodër.
Ndërsa mesazhi i trakteve kujton se ishte pak a shumë i tillë: “Rinia dhe klasa punëtore shqiptare, duhej të solidarizoheshin me idetë e Revolucionit hungarez dhe ka ardhur koha që Stalinizmit t’i japim grushtin e fundit”. Traktet ishin të shkruara të gjitha me dorë. Për këtë, Brazhdari thotë: “Unë disponoja letër format që nuk gjendej në asnjë vend tjetër, bojë kine, dhe kisha një shkrim goxha të mirë”. Kaq mbahet mend nga përmbajtja, pasi prej asaj kohe nuk kanë asnjë kopje të traktit në ditët e sotme, pa mundur të hyjnë as në Arkiva, për shkak të masave të forta nga hetuesia, dhe nuk dihet se ç’është bërë me to.
Në fakt duhet kujtuar së pari se nga ç’formim vinin këta tre të rinj, atmosfera e parapërgatitur shpirtërore e psikologjike që i çuan në revoltën e trakteve.
Njëri prej tyre, që është në fokusin e bisedës te “Zërat e kujtesës”, pra Ndrek Brazhdari, vinte nga një familje qytetare e shtresës së mesme në Shkodër, i cili qysh në fëmijëri spikaste për dhuntinë e zërit, në dallim nga fëmijët e tjerë, u mbajt afër nga personalitetet e artit në Shkodër nisur nga Preng Jakova, Tonin Arapi etj., derisa merr një formim të plotë artistik. Ai kujton se si iu besua një rol në melodramën e parë shqiptare, “Kufitarët” me libret të Llazar Siliqit dhe muzikën e Tonin Arapit. Ai rol, me sa duket i dha popullaritet të madh, dhe këshilltarët sovjetikë për kulturën e asaj kohe e inkurajuan që të ndiqte Liceun Artistik. Dhe në fakt, në shtator të ’53, Ndrekës së ri iu akordua bursa, ndonëse nuk mundi të vazhdonte për kanto për arsye se në atë kohë, nuk i lejohej të ndiqte kursin e kantos, atyre që ishin nën moshën 18 vjeç, kështu që filloi studimet në Lice, por për violonçel.
“Kur filluam shkollën të detyruar edhe të banonim në konvikt, ne studentët e Shkodrës vumë re një kontrast të fortë midis ambientit të ri që gjetëm, dhe atij nga vinim. Formimi ynë si qytetarë të Shkodrës, qoftë nga feja, qoftë nga kultura dhe botëkuptimi, binte ndesh me atë që përfaqësonte një pjesë e mirë aty që ishin njerëz të ardhur direkt nga zonat më të thella për t’u bërë këngëtarë a instrumentistë, ose fëmijët e tyre, që ishin të indoktrinuar nga propaganda komuniste. Kjo situatë ishte jo pak tronditëse për ne, si të rinj që frekuentonim kishën dhe këndonin në kishë. Dhe me atë bindjen e një të riu shpeshherë polemizonim, debatonim edhe me profesoreshën e marksizmit, e vetmja filozofi që mësonin më shkollë, por edhe kjo e parë si mjet i pastër propaganda”.
Si duket, ky lloj “rebelimi” shpejt i vuri të rinjtë në shënjestër të Organizatës së Rinisë, dhe grupeve të tjera militante. Dhe erdhi rasti, në vitin 1956, që ishte një vit shumë i acaruar politikisht, sepse kishin filluar të qarkullonin idetë e “rrymës hurshoviane”, që ishin për një transformim të sistemit, drejt një komunizmi pak a shumë më të butë, krejt të ndryshëm nga modeli i egër komunist në Shqipëri, Pra ishte një rrymë që premtonte zbutje, kujton Brazhdari, të cilëve sigurisht iu pëlqente kjo kthesë. “Por udhëheqjes shqiptare të asaj kohe, nuk i pëlqenin këto reforma, për shkak se prej tyre mund të prekej ndonjë autoritet i lartë, dhe ishin të interesuar të ruanin linjën e tyre të vrazhdë; qëllimisht edhe nuk donin të prononcoheshin kundër “kultit të individit”, i cili u shpall botërisht si kult i krijuar nga Stalini dhe u dënua në Kongresin e 20-të të BRSS”.
Nuk vonoi shumë dhe në tetor të ‘56 shpërtheu Revolucioni Hungarez. Shpërthimi i Revolucionit hungarez e tronditi shumë opinionin ndërkombëtar, por kryesisht situatën e shteteve brendapërbrenda kampit socialist, shteteve satelite të Bashkimit Sovjetik, ku bënte pjesë edhe Shqipëria, për të mbërritur në përjetimin e të rinjve në Shkodër.
Ja si e kujton Brazhdari këtë ngjarje: “Tani edhe shqiptarët filluan të shpresonin se mund të bëhej diçka edhe këtu, dhe ndër të parët që u solidarizuan me këtë shpresë ishim edhe ne, tre studentët shkodranë. Ne krijuam një grup me qëllim propagandimin e ideve të Revolucionit Hungarez dhe përhapjen e tyre sa më gjerë. Baza e aktivitetit tonë ishin traktet; ne arritëm të përpilonim vetë trakte. Natyrisht për këtë aksion na ndihmoi fakti që unë kisha një vëlla dizajner, prej të cilit siguruam bazën materiale, që në atë kohë ishte shumë e vështirë për t’u gjetur. Edhe ndonjërin prej trakteve që më kishte ngelur në shtëpi, erdhën dhe i morën kur më braktisën shtëpinë. Bile, me vendim gjyqësor, shtëpia m’u konfiskua, dhe kam mundur ta marr me gjyq vetëm në vitin 1993. U shkatërruam komplet: Pas meje, futën në burg edhe burrin e motrës, dhe kështu shkoi kjo punë, keq e më keq…”, rrëfen në bisedën e tij Brazhdari.
Në këtë kujtesë për ngjarjen e ’56-s, si duket Sigurimin e Shtetit e kishin shqetësuar më shumë traktet e të rinjve, duke mos parashikuar se do të kishte kaq solidaritet prej të rinjve dhe studentëve me Revolucionin Hungarez, pikërisht në periudhën kur komunizmi kishte mbërritur në kulmin e saj të propagandës si një sukses, krijimin e “njeriut të ri”, që vlerësohej si “vepra më e shkëlqyer e Partisë”. Brazhdari thotë se ata u befasuan: “Si ka mundësi që këta të rinj, të na dalin me këtë frymë”.
Por pjekuria e këtyre të rinjve, nuk ishte aq rastësisht thuhet në këtë rrëfim, për shkak se formimi i tyre ishte më herët, dhe i vazhdueshëm në Shkodër, ku persekutimi komunist ka qenë akoma më i ashpër, me arrestime e pushkatime të përditshme, shpeshherë dhe në prani të publikut. “Unë isha i vogël kur më merrnin vëllezërit për dore, për të shkuar për të dëgjuar ndonjë gjyq ose për të parë pushkatimet mbas varreve katolike”, thotë Brazhdari. Kjo për Shkodrën ishte një periudhë terrori, ku thirrja “tradhtarët në litar” ishte më tronditësja, dhe Ndreka kujton se “në atë kohë, duke qenë se Shkodra ishte kryeqendër për krejt veriun, u ndje nevoja për t’u shtuar mjediset për burgjet, dhe e bënë. Kështu që numri i burgjeve në Shkodër pat arritur në 13”.
Por nuk zgjati shumë nga ky rebelim i frymëzuar nga revolucioni hungarez dhe të riun 17-vjeçar e arrestojnë një vit më vonë, në prill 1957, në ditën e Pashkëve.
Ja ç’rrëfen Ndreka për ditën e arrestimit: “Unë me dy shokë të Liceut Artistik, njëri flautist dhe tjetri violonçelist, ishim në rrugë për të shkuar në kishë, në kishën Françeskane, e cila ndodhej në rrugën që të çonte në Pazarin e Ri. Unë, që në mëngjes, munda të vija re që më ishin vënë mbrapa dy persona të mbajtur e të veshur mirë, për të cilët, më vonë, mora vesh se paskëshin qenë ish-kryetari i Degës së Shkodrës, Feçor Shehu, dhe kryetari i hetuesisë për Tiranën, Besim Selita. Në kohën kur mbërritëm para derës së Degës, që ndodhej te Selvia, dërguan një polic, na ndalën dhe na morën e na futën brenda. Të treve. Unë kisha një parandjenjë që diçka e keqe po ndodhte. Në Degë, salla ku na futën, ishte mbushur me oficerë, sikur të ishte ndonjë ditë feste për ta e jo Pashkët tona. Njëri prej atyre policëve, më drejtohet mua e më thotë: “Hajde, ti biondi që je në mes”. Shkova pas tij dhe kuptova që nuk do dilja më prej atij vendi. Ngjita shkallët i rrethuar me policë, a thua se kë kishin kapur; sikur kishin kapur ndonjë të “rrezikshëm”, sikur të kishin kapur Hamit Matjanin. Më ngjitën lart në një zyrë, e kur ç’të shoh! Aty, i ulur në tryezë, ishte po ai person që më ishte vënë pas, dhe anash tij qëndronin shumë oficerë. M’u prezantua: Jam Feçor Shehu. Pastaj më tha: “Në emër të Popullit, je i arrestuar”! S’kisha ç’të thosha, por pashë edhe dy oficerë nga Shkodra dhe më vonë mora vesh që këta ishin të autorizuar nga Dega e Shkodrës për të ndjekur hetuesinë tonë në Tiranë. Mbasi u prezantuan, më dhanë edhe mandatin e arrestimit, për t’i vënë një firmë. Pastaj më ulën në katin poshtë. Kur më ulën poshtë, më çuan në ca biruca që ne në atë kohë i quanim “qela”. Biruca ku më futën ishte në formë varri dhe kishte një birë të vogël për dritare rreth 20 cm me 20 cm, por afër tokës. Kështu që biruca ishte krejtësisht në terr….
Ditën e parë s’më kishin dhënë asgjë për të ngrënë, se nuk kisha hyrë akoma në “forcë”, pra në listën e të burgosurve. Kjo punë vazhdoi për disa ditë. Në hetuesi na merrnin nga ora 1 apo 2 e natës, atëherë kur ishim të rraskapitur. Natyrisht, hetuesia ishte vend i trishtë për moshën që kishim, por jo e krahasueshme me atë të shokëve tanë, të cilët kishin kaluar tortura nga më të tmerrshmet; hetuesit nuk kishin çfarë prisnin prej nesh, sepse kishin traktet në dorë, kishin shkrimin tim, kishin faktet. I kishin të gjitha çfarë u duheshin, për të na dënuar”
Ndreka rrëfen se më parë ishin arrestuar dy shokët e tij, për të cilët nuk dinte gjë. Traktet ishin shpërndarë gjatë tetorit të vitit 1956 dhe sërish në janar të ’57. Ndërsa njëri prej të rinjve, Nikolin Pavaçi ishte kapur një muaj më përpara. “Në atë kohë ishte edhe vështirë për të rënë në kontakt, sepse mjetet e komunikimit ishin të rralla”, thotë Brazhdari.
I riu, 17-vjeçar kujton se në të njëjtën birucë që qëndroi për tre muaj, kishin kaluar Hamit Matjani, Zenel Shehu, që konsideroheshin “kriminelët” më të mëdhenj dhe se në muret e birucës ishin të shkruar me gjak: “Amanet familjen”, “amanet fëmijët”, “nesër pushkatohem” etj. Kjo kohë përkonte me arratisjen e gjeneralit Panajot Plakut dhe birucat po liroheshin për të burgosur kontingjentin e oficerëve pas kësaj arratisjeje.
Pas disa muajsh, Ndreka tregon se u zhvillua procesi gjyqësor, ku morën akuzën si grup antiparti, si grup që do të rrëzonte pushtetin me forcë.
Edhe pse ishte 17 vjeç, ligjet në fuqi nuk parashikonin dënimin nën moshën 18 vjeç. Ja si e kujton Brazhdari gjyqin: “Akuza kundër nesh ishte shumë e rëndë, që gjoja ne si grup, kishim pasur ndërmend të vazhdonim aktivitetin armiqësor, do të dilnim jashtë shtetit dhe do të shkonim të specializoheshim në shkollat imperialiste, për t’u përgatitur për të hyrë sërish në Shqipëri për të vrarë udhëheqësin. Një alibi e tillë. Sigurisht që këto ishin të gjitha përralla. Bile, fillimisht, plani i tyre ishte të na bënin një gjyq të madh publik, ku të ishin të pranishëm edhe studentët në sallë, por, duke parë qëndrimin tonë, e pezulluan atë plan, dhe në sallë lanë vetëm familjarët.
Në fakt, ligji e ndalonte burgun nën 18 vjeç, pasi Shqipëria, atë kohë, ishte anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe kishim nënshkruar disa karta. Por, këta e justifikuan me dhënien e “gjysmëdënimit” këtë shkelje. Në atë kohë, nuk ishin hequr ende avokatët, dhe secili prej nesh kishte dy avokatë. Më kujtohet që ne kemi pasur një avokat me mbiemër Tirana dhe një tjetër që quhej Koço Dilo.” Brazhdari rrëfen më tej se ky i fundit, pra avokati Dilo, e kishte këshilluar që të merrte përsipër të gjithë situatën e shkrimit të trakteve dhe t’i bindte që ishte kryesori në grup, duke i thënë se kështu të paktën do të shpëtonte jetën e shokëve, pasi ishte nën moshë. Përndryshe ata do të pushkatoheshin se ishte viti 1957, dhe nuk e kishin problem të të zhduknin. “Kështu në mënyrën time i mora unë përsipër, siç më këshilloi avokati”, thotë Brazhdari, duke marrë në atë kohë dënimet maksimale për moshën që kishte: Gjysmë dënimet, që ishte 14 vjet burg, dhe dy të tjerët të dënuar me 16 dhe 12 vjet burg. Në këtë rrëfim të rëndë, Ndreka në bisedë tregon peripecitë në burg, ridënimet, torturat nga hetuesit dhe frikën e tmerrshme që ekziston për të mos i çuar në burgun famëkeq të Gjirokastrës, që në atë kohë konsiderohej burgu më i rrezikshëm, derisa i transferuan në burgun e Burrelit, ku u njoh me realitetin tjetër më të egër të diktaturës, dhe me vuajtjet e kundërshtarëve të regjimit. Është një rrëfim i gjatë që vazhdon dhe jep një pasqyrë të asaj çfarë ndodhte brenda burgjeve, nga njerëzit më të afërt të Enverit, që dënoheshin e me personazhe të tjera të klerit, kulturës, e intelektualë të kohës, që vuanin prej vitesh burgimin, gjithë kalvarin e jetës, deri në lirimin dhe jetën në liri pas ’90-s. – V.Murati.