Misteri i shifrave kineze
Tregjet e aksioneve nën presion, eksportet bien, juani zhvleftësohet – Kinë të shokon me lajme të keqia. Problemet mund të jenë edhe më serioze, se sa tregojnë shifrat zyrtare, besojnë ekspertët.
"Imagjinatë e pastër" – rrallë gjykimi i një eksperti perëndimor të financave mbi statistikat zyrtare kineze ka qenë aq shkatërrues sa ai i Erik Britton. Si shembull, drejtori i qendrës londineze të analistëve Fathom Consulting sjell shifrat e tremujorit mbi rritjen ekonomike të Kinës: "Shifrat jepen brenda një periudhe shumë të shkurtër kohe pas përfundimit të çdo tremujori dhe nuk rishikohen më – siç ndodh përndryshe në të gjitha vendet e tjera të botës. Dhe pastaj ato janë shumë afër me parashikimet e autoriteteve – një parashikim bilanci, si në asnjë ekonomi tjetër dhe në asnjë institut tjetër prognostikues."
Megjithatë ato nuk janë të besueshme, nëse i krahason me të dhënat, që vlerësohen si më domethënëse nga zyrtarët kryesorë kineze si Li Keqiang. Kryeministri i sotëm i tha në mirëbesim një diplomati amerikan në vitin 2007 se ai ka tre baza të dhënash, në bazë të të cilave orientohet, konsumin e energjisë, dhënien e kredive dhe transportin hekurudhor të mallrave.
Një normë e rritjes ekonomike prej rreth shtatë për qind, siç jepet nga kreu i shtetit, dhe konsumi i energjisë gati i mbetur në vend nuk përputhen me njëri-tjetrin, mendojnë gjithnjë e më shumë ekonomistë. "Sidoqoftë shifrat kanë të bëjnë më shumë me atë se çfarë kanë dëshirë të shohin autoritetet, se sa me atë që ndodh në të vërtetë. Kjo është më shumë fantazi se sa realitet", thotë Erik Britton për DW.
Rritje 3,1 në vend të 7 përqind?
Duke u nisur nga pikat e orientimit të Li Keqiang, analistët e Fathom Consulting në indeksin e tyre "China Momentum" arrijnë në një plus prej aktualisht 3.1 për qind të produktit të brendshëm bruto. Për gjithë vitin 2015 sipas Britton ato presin që ekonomia e Kinës të rritet me 2.8 për qind dhe në vitin 2016 vetëm një për qind.
Britton nuk është i vetmi, që dyshon në shifrat zyrtare. Dhe sa më shumë treguesit ekonomikë në Kinë tregojnë rënie, aq më pak besojnë shumë ekspertë se mund të mbajë synimi i shpallur zyrtarisht nga Pekini për rritjen ekonomike prej shtatë për qind për vitin aktual – qoftë edhe me shifra të zbukuruara.
Frika nga plasja e "Triple Bubble"
Rreziqet gjenden thuajse kudo: Përveç tregut të ngarkuar të pasurive të patundshme dhe rënies së kursit të aksioneve, vendit i duhet të luftojë me një mal të madh borxhi. Andrew Garthwaite, shef i analistëve botërorë të Credit Suisse, thotë se në hijen e bumit ekonomik të Kinës janë krijuar tri flluska të rrezikshme, që përbëjnë rrezikun më të madh aktual për ekonominë botërore."
Shumë prej atyre, që kanë rritur treguesit e ekonomisë kineze vitet e fundit, kthehen tani në një barrë: uzinat e shkrirjes së çelikut, çeliku të cilave nuk nevojitet në tregun botëror. Apo komplekset e apartamenteve të lëna bosh, të cilat kanë dalë si këpurdhat pas shiut në Kinë, nga shpresa se çmimet e pasurive të patundshme do të vazhdonin të rriteshin.
Analisti i Credit Suisse Andrew Garthwaite e bën të kuptueshëm përmasën e bumit kinez të ndërtimit me një krahasim sa të thjeshtë aq edhe befasues: "Kina ka konsumuar në tre vitet e fundit më shumë çimento se SHBA në të gjithë shekullin e 20-të."
Çmimet e imobilieve si në Central-London
Jo vetëm treguesit e produktit të brendshëm bruto të Kinës janë të diskutueshëm. Ka vlerësime të ndryshme edhe për rrezikun e bombave me sahat në banka. "Llogaritjet tona për kreditë me probleme në sektorin bankar kinez janë rreth 20 për qind të produktit të brendshëm bruto – që është sa shumëfishi i asaj që vlerësohet zyrtarisht", thotë Erik Britton i Fathom Consulting.
E rrezikshme bëhet situata atëherë, kur çmimet e pasurive të patundshme të vazhdojnë të bien, mendon Andrew Garthwaite i Credit Suisse. Sepse më shumë se në aksione, kinezët i kanë investuar paratë e tyre në pasuri të patundshme. Në një krahasim ndërkombëtar disa banesa private kineze janë të klasifikuara më lart në vlerë se ato në zonat më të mira të Londrës, shkruan Garth Waite. "Nëse çmimet e shtëpive bien me 15 për qind ose më shumë, ne supozojmë se avioni i ekonomisë kineze do të pësojë një ulje të vështirë dhe autoritetet nuk do të kenë aspak mundësi ta pengojnë."
Pasojat për ekonominë botërore
Si ekonomia e dytë më e madhe në botë Kina ka rëndësi të madhe për ekonominë globale. Kina nuk është vetëm eksportues, por edhe cak i mallrave dhe shërbimeve të huaja.
Rëndësia e importeve kineze për ekonominë globale mund të ishte më e ulët, sesa sugjerojnë shifrat zyrtare. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Tregtisë dhe klubit të vendeve të industrializuara OECD vetëm 62 për qind e mallrave të importuara në Kinë, janë të destinuara për konsum final atje. Shumë komponente, që importohen në Kinë, dalin përsëri nga vendi në formën e iPhoneve apo kompjuterëve.
Por edhe në qoftë se ekonomia e Kinës do të rritet me të vërtetë vetëm tre për qind, analistët e Credit Suisse ofrojë një pamje më qetësuese: nga një rritje më e madhe në SHBA dhe Evropë, si dhe nga çmimet e ulëta të lëndëve të para ekonomia globale edhe në këtë rast do të rritej me 2.6 për qind.