Miti i oligarkëve rusë

Nga Masha Gessen

Barcaletat më popullore në Moskë sot nuk janë aspak për të qeshur:  “Vitin e ardhshëm Putini, rubla dhe fuçia e naftës do të konvertohen me shifrën 63”. Më lejoni t’jua përkthej: Rubla së shpejti do të ketë nevojë për 63 copë për t’u këmbyer me një dollar, ose afërsisht dyfishin e fazës më të dobët të dollarit në Rusi përpara një viti (çka do të thotë se shumica e rusëve do të jenë afërsisht 50 për qind më të varfër); një fuçi nafte do të zbresë në 63 dollarë, afërsisht me nivelin e çmimit të 2005-ës, duke e shkatërruar ekonominë ruse; dhe Presidenti Vladimir Putin do të mbushë 63 vjeç.

Që të tria parashikimet janë dëshpërimisht realiste: ekonomia ruse duket e prirur drejt katastrofës në mënyrë po aq të sigurt, sa z. Putin, me të gjitha gjasat, do ta festojë ditëlindjen e tij të ardhshme në tetor 2015. Dhe me shumë mundësi, ai do të jetë ende President i Rusisë edhe atëherë.

Pikëpamja apo shpresa e përgjithshme ndërmjet shumëkujt prej njerëzve që do të dëshironin që regjimi i Putinit të merrte fund, ka qenë për një kohë të gjatë se momenti i përkeqësimit të ekonomisë ruse do të bëjë që elita parelie të kthehet kundra Presidentit rus. Gazetarët, ekspertët dhe kundërshtarët politikë të z. Putin në Rusi kanë parashikuar se sanksionet perëndimore dhe shkatërrimi që do të sjellin ato, do të shoqërohet nga një grusht shteti të ndërmarrë nga ana e oligarkëve. Por ka vetëm një problem me këtë argument: puna është se nuk ka më oligarkë.

Kur z. Putin u bë president si sot 15 vjet më parë, Rusia ishte një oligarki – oligarkët ishin vërtet një faktor kyç në nxjerrjen e Putinit nga errësira dhe në vendosjen e tij në krye. Por me kalimin e muajve ai u bëri oligarkëve një ofertë, të cilën ata nuk do të mund ta refuzonin: të hiqnin dorë nga fuqia e tyre politike dhe disa prej të mirave në këmbim të sigurisë dhe zhvillimit të mëtejshëm, përndryshe do të zhvisheshin nga të gjitha fuqitë dhe pasuritë e tyre.

Ai e kishte me të vërtetë. Personazhi i fuqishëm i mediave, Vladimir Gusinsky, që i refuzoi rregullat e reja, u detyrua të mërgonte në verën e vitit 2000, dhe oligarku Boris Berezovski iu bashkua atij disa muaj më pas. Kur njeriu më i pasur në Rusi, Mikhail Khodorkovsky e refuzoi një ujdi të tillë, ai u burgos dhe kompania e tij u dëbua. Procesi i shkatërrimit të oligarkisë ruse u plotësua.

Në 11 vitet që pas arrestimit të z. Khodorkovski, z. Putin e ka fuqizuar pushtetin duke e kthyer në atë formë që politologu Karen Dawisha e quan “autoritarizëm kleptokratik”. Karakteristika e tij thelbësore është korrupsioni gjithëpërfshirës, çka i bën të gjithë burrat parelinj të elitës ruse – dhe ata janë me të vërtetë të gjithë burra dhe të gjithë parelinj – thellësisht të ndërvarur.

Shumë prej tyre kanë mbajtur poste publike gjatë kësaj kohe, por kanë qenë në mënyrë të pashmangshme subjekt i tri kushtesh-grackë: Ata duhet të paguanin që të zinin postet dhe më pas mund të përdorin pozicionin për t’u pasuruar në mënyrë të mëtejshme; ata nuk duhet ta përdornin atë për të mbajtur apo për të krijuar pushtet politik.

Heqja dorë nga çdo pretendim për veprime të pavarura politike ka mbetur një kusht për të qëndruar i pasur dhe i sigurt.  Kur miliarderi Mikhail Prokhorov u përpoq, edhe pse në mënyrë mjaft modeste, ta testonte gjendjen e tij duke rigjallëruar përpara tri vitesh një parti kryesisht pro-Kremlinit por populiste, ai u spraps ashpërsisht. Pasi u përball me rrezikun e humbjes së pasurive të tij, ai u rikthye në pozicionin e tij të mëparshëm.

Në epokën e re të vështirësive ekonomike, ai ka qëndruar në linjë: gjatë shfaqjes më të fundit të besnikërisë së tij ndaj Kremlinit, një kompani mediatike që zotërohet nga Prokhorov, sulmoi dhe dëboi televizionin e vogël dhe të pavarur Dozhd (Rain) TV, i cili kishte një studio të përkohshme në një nga pronat e biznesmenit.

Gjatë këtyre viteve të ndihmesës ndaj z. Putin për forcimin e regjimit të tij, të pasurit e Rusisë jo vetëm që kanë rënë në grackën e këtij sistemi korrupsioni, por kanë humbur çdo aftësi për të krijuar dhe patur një axhendë politike. Ata që parashikojnë ndonjë përmbysje të shpejtë – një goditje nga oligarkët si aktorë të pavarur që mund të krijojnë një koalicion për të arritur qëllimet e tyre ekonomike – ndodhen larg realitetit. Të imagjinojmë për shembull një numër të madh merimangash të cilat jetojnë të gjitha në të njëjtën pëlhurë.

Teksa ekonomia fundoset, ata janë të shqetësuar vetëm për mbijetesën. Ndërkohë që pëlhura fillon të ngushtohet, ata mund të shporrin disa prej miqve të tyre më të dobët – sikurse ka ndodhur me dy sipërmarrës të mëdhenj rusë,  Vladimir Yevtushenkov dhe Maxim Nogotkov, kompanitë e të cilëve u morën nga njerëz më të pasur dhe më të fuqishëm se ata.

Problemet ekonomike të Rusisë mbase do të thonë se elita e pasur do të vuajë dhe shumica e anëtarëve të saj do të mërgojë ose do të përfundojë në burg, ndërkohë që pasuritë e tyre do të rishpërndahen. Ashtu sikurse për pjesën tjetër të popullit rus, që janë mbi 140 milionë banorë, një lajm i keq ekonomik është thjesht një lajm i keq ekonomik: ai lajmëron për inflacionin dhe vështirësitë reale të ditës. Por as vetëngrënësit e pasur dhe as të varfërit e rinj nuk kanë ndonjë gjasë që ta sfidojnë pushtetin e z. Putin.

SHKARKO APP