Mjekë amerikanë e shqiptarë realizojnë ndërhyrje komplekse laparoskopike në QSUNT
Një ekip mjekësh specialistë, gastrohepatologë dhe hematologë erdhën në Shqipëri si pjesë e organizatës “Albanian Health Fund” dhe realizuan një sërë ndërhyrjesh komplekse në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. QSUNT bën me dije se ky ekip mjekësh amerikanë, në bashkëpunim me ekipin shqiptarë mjekësor, realizuan disa ndërhyrje komplekse përmes laparoskopisë, duke sjellë një eksperiencë të vyer profesionale për stafin e QSUNT dhe përfitime të drejtpërdrejta për pacientët.
Shefi i Shërbimit të Kirurgjisë, Arben Gjata tha se ky është një vazhdim i një tradite 31 vjeçare, pasi këta mjekë kanë ardhur për herë të parë në QSUNT në vitin 1991. “Organizata quhet “Albanian Health Fund” dhe është një ekip i përbërë nga specialistë të ndryshëm si kirurgë, hematologë, gastrohepatologë që na kanë ndihmuar në të gjithë fushat. Janë kontributorët kryesorë për zhvillimin e QSUT-së në drejtim profesional, por edhe të pajisjeve, ndihmës dhe formimit të mjekëve qoftë këtu qoftë duke marrë një pjesë të mjekëve të QSUT-së në Amerikë”, tha Gjata, ndërsa tha se aktualisht ekipi i mjekëve shqiptarë po punon me Dr.William Nelson që është një nga kirurgët robotistë më të mirë në Amerikë.
Prof.Dr.Arben Beqirit, kirurg në QSUNT, tha se përmes kirurgjisë bëhen ndërhyrje të ndërlikuara, e disa prej tyre shoqërohen me komplikacione të traktit abdominal, ku muri i barkut pëson ndryshime të rëndësishme, duke çuar në hernie të mëdha, të cilat në Shqipëri dhe kudo në botë bëhen të vështira për t’u trajtuar. “Në mënyrën klasike, me metodën e hapur ne i kemi trajtuar prej vitesh, por përmes ndihmës së mjekëve amerikanë, ne po realizojmë një hap përpara duke bërë të mundur që këto operacione komplekse të rindërtimit të murit të barkut t’i realizojmë përmes kirurgjisë laparoskopike”, tha Gjata.
Kirurgu amerikan, Dr.William Nelson u shpreh se ekipet e mjekëve bëjnë një punë të jashtëzakonshme. “Ne po bëjmë disa riparime laparoskopike të hernies, të cilat kanë disa përfitime te pacientët, por që janë më komplekse se mënyra normale se si riparohet. Janë teknika të reja, të cilat sjellin përfitime te pacientët dhe është fantastike të shoh punën që është bërë këtu. Sallat operatore janë moderne, të mëdha, me ekipe shumë të mira. Është një vend shumë i mirë për të punuar”, pohoi Nelson.
“E vërteta është që rastet janë të ndryshme, por përkundrejt kompleksitetit të tyre ndërhyrjet e bëra me profesionalizëm duke njohur teknikën dhe pajisjet e duhura, bëhet e mundur që koha e operacionit të shkurtohet dhe koha e qëndrimit të pacientit në spital të shkurtohet, si edhe periudha post operatore të kalojë me dhimbje sa më të vogla ose pa dhimbje fare”, përfundoi Beqiri.
KOHA JONË SONDAZH

