Monika Kryemadhi me doreza boksi, mesazh avokatit të saj

Ish-deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka reaguar pas shtyrjes së seancës paraprake ndaj saj në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke ironizuar sistemin e drejtësisë dhe vendimin e Dhomës Kombëtare të Avokatëve për bojkot.

Në një postim në rrjetet sociale, Kryemadhi publikoi një foto nga palestra, me doreza boksi në duar, shoqëruar me një mesazh drejtuar avokatit të saj, Redi Llanaj:

“Avokat Redi Llanaj, të përshëndes! Seanca ime gjyqësore u shty për më 28 tetor, ora 09:00. Vendimi i Dhomës Kombëtare të Avokatëve nuk bazohet në ligj.”

Swiss Digital Desktop Reklama

Duke iu referuar vendimit për bojkot të avokatëve, ajo shtoi me ironi:

Swiss Digital Mobile Reklama

“Kur ju avokatët bojkotoni në mbrojtje të parimeve kushtetuese dhe të pavarësisë së profesionit, thuhet se bojkoti bazohet në ligj! Pra, ligji paska dy interpretime: një për ata që e zbatojnë dhe një tjetër për ata që e interpretojnë sipas rastit. Kush e mbron ligjin, kur gjykata nuk e njeh?”

Seanca e radhës më 28 tetor

Procesi gjyqësor ndaj ish-deputetes së Partisë së Lirisë, që lidhet me hetimet e nisura nga SPAK mbi pasurinë dhe deklarimet financiare, ishte parashikuar të mbahej këtë javë, por u shty për shkak të bojkotit të avokatëve në mbarë vendin.

Kryemadhi e shfrytëzoi shtyrjen për të ironizuar gjendjen e drejtësisë, duke e paraqitur si shembull të standardeve të dyfishta të sistemit që, sipas saj, “nuk zbaton të njëjtat rregulla për të gjithë”.

Një mesazh politik dhe personal

Gjuha simbolike e Kryemadhit – dorezat e boksit dhe fjalia për “ligjin që ka dy interpretime” – është lexuar nga shumë si mesazh politik i qëllimshëm.

Ajo synon të theksojë se drejtësia e re po përdoret sipas rastit dhe se shqiptarët po përballen me standarde të ndryshme ligjore, varësisht kush është përballë saj.

Burime pranë saj thanë për Koha Jonë se Kryemadhi nuk do të tërhiqet nga mbrojtja ligjore dhe politike, ndërsa seanca e radhës më 28 tetor në GJKKO pritet të zhvillohet në varësi të qëndrimit të Dhomës Kombëtare të Avokatëve për vazhdimin ose ndërprerjen e bojkotit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?